Një implant i vogël elektronik në sy po sjell shpresë për njerëzit me humbje të pashërueshme të shikimit, duke u mundësuar atyre të shohin përsëri, sipas një studimi të ri të botuar në New England Journal of Medicine.
Pajisja, e vendosur nën retinën e syrit dhe e lidhur me një palë syze të posaçme, synon pacientët me degjenerim makular të lidhur me moshën (AMD) – një sëmundje e zakonshme që prek kryesisht personat mbi 50 vjeç.
Në provën klinike me 38 pacientë, shumica rifituan aftësinë për të lexuar shkronja, numra dhe fjalë pas përdorimit të implantit. “Ky studim konfirmon se, për herë të parë, mund të rivendosim shikimin qendror funksional tek pacientët e verbër nga atrofia gjeografike,” deklaroi Dr. Frank Holz, kreu i departamentit të oftalmologjisë në Spitalin Universitar të Bonit. Ai e cilësoi pajisjen si një “ndryshim paradigme” në trajtimin e AMD-së së avancuar.
Implanti u testua në pesë spitale evropiane dhe funksionon duke shndërruar dritën infra të kuqe në sinjale elektrike që stimulojnë qelizat e retinës, duke rikthyer rrjedhën e informacionit vizual. Brenda një viti, 84 për qind e pjesëmarrësve mund të lexonin me shikimin artificial, ndërsa 69 për qind e tyre shprehën kënaqësi me rezultatet.
Pajisja u zhvillua fillimisht nga kompania franceze Pixium Vision, e cila falimentoi vitin e kaluar. Pas blerjes së aseteve të saj nga një korporatë amerikane e specializuar në ndërfaqe tru-kompjuter (BCI), kompania njoftoi se ka aplikuar për ta hedhur implantin në tregun e Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtar, implanti mund të jetë i disponueshëm në BE që vitin e ardhshëm, ndërsa po punohet edhe për një version më të avancuar, që do të ndihmojë pacientët me humbje të rëndë të shikimit.
