Nëna e ish-ortakut të Olsi Ramës mbron Edi Ramën dhe patronazhistët në Komisionin e Ligjeve

Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

Strakosha është nëna e Amant Josifit, ish-ortakut të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit shqiptar.

Amant Josifi është në kërkim për një skemë manipulimi me call-centerat, që u ka kushtuar miliarda qytetarëve europianë. Ndërkohë SPAK e la të lirë që të arratisej në kohë, kur ai po kërkohej nga policitë evropiane.

Në seancën e sotme, Strakosha mori në mbrojtje Edi Ramën sa u përket shkarkimeve që u bëri drejtuesve vendorë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, referoi disa pyetje për Strakoshën, ku mes tyre ishte edhe ajo për urdhrin e kryeministrit Edi Rama gjatë muajve të verës për drejtuesit vendorë.

“Për sa i përket pyetjes për urdhrin e dorëheqjeve, kjo është në vullnetin e tyre, e jep apo nuk e jep, është e drejta e tyre. Ne shqyrtojmë largimet në kundërshtim me ligjin, që ankohen për largim nga puna, që lidhen me largimet e me statusin”, tha ajo.

Edhe për vendet bosh në institucionet e drejtësisë, Strakosha dha një përgjigje të thatë: “Ne nuk jemi gjykatë, jemi indirekt, marrim njoftimin dhe shqyrtojmë procedurën, sepse është gjykata nëse çështja është atje. Ne bëjmë vetëm shqyrtimin apo zgjidhjen pa shkuar në gjykatë. KLGJ, ILD dhe KLP ne i inspektojmë rregullisht, por të tjerat jo. Ne nuk kemi lidhje se çfarë bëjnë ata në gjykata, por me statusin e tyre”.

Anëtari demokrat, Oerd Bylykbashi iu drejtua komisioneres Pranvera Strakosha, lidhur me sistemin e patronazhizmit gjatë zgjedhjeve, si dhe përfshirjen në fushatë të drejtuesve të administratës.

Në përgjigje, Strakosha tha se sistemi patronazhist nuk është ligjor dhe komisioneri përfshihet brenda kuadrit ligjor. Ajo tha se gjatë fushatës, nuk janë lejuar emërime apo shkarkime nga detyra.

Bylykbashi: Kemi të dhëna konkrete, drejtues të lartë të administratës kanë qenë pjesë e fushatës. Kemi tabelat konkrete, sistemi i patronazhimit ka detyrën e profilizimit të zgjedhësve. Ju rezulton nga hetimet, së pari a keni bërë hetime për të parë sa efektiv është ky sistemi i patronazhimit. Të gjithë e dimë që është katastrofë. Çfarë keni bërë ju për të kuptuar kush është efektiviteti i sistemit të patronazhimit.

Pranvera Strakosha: I kemi shqyrtuar problematikat. Sistemi patronazhist nuk është ligjor që të hetojmë. Këto tabela që thoni ju, nuk e di ku janë. Këto që po thoni ju, tani po i dëgjoj. Nuk kemi dijeni për formularët që janë shpërndarë fare. Komisioneri përfshihet për aq sa i ka caktuar ligji, ata nuk duhet të dalin përgjatë orarit të punës të bëjnë fushatë. Këtë monitoron komisionere. 16 inspektorë i kemi nxjerrë në terren, nuk kemi lejuar emërime gjatë fushatës zgjedhore. Këtë e kemi bllokuar. Këto formularë që thoni ju mund të jenë shpërndarë privatisht.