Gara për “karrigen” e Dumanit, KLP “vulos” listën me 4 kandidatët që kanë aplikuar

mbledhja e klp

TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë (PL) është mbledhur sot për të vijuar me procedurën për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. KLP ka miratuar 4 kandidatët: Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gogaj, duke vlerësuar se i plotësojnë kushtet për të drejtuar SPAK. Emrat e tyre u kualifikuan për të vijuar më tej garën, ndërsa për etapën e radhës, do të ftohen për t’u investuar nga KLP. 
Miratimi kaloi me 10 vota pro, në mungesë të prokurorit Zeqir Hodajt, i cili u largua nga mbledhja. Hodaj dhe sqarime për shkrimet në media që raportonin se është në konfikt interesi pasi djali i tij është zgjedhur si hetues financiar në SPAK. 
“Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, unë kërkoj t’i jepet kohë edhe këshillit edhe vetes për të marrë një vendim në lidhje me këtë situatë. Unë vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale, duhet të largohem nga votimi për të marrë kohën e duhur për një proces të rregull ligjor”, tha ai.

Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 18 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE.
Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash./ZËRI