Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë shqiptare se po e mban në këmbë ekonominë e vendit përmes pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha deklaron se mbi 56 mijë apartamente qëndrojnë bosh në Shqipëri, duke qenë se janë ndërtuar jo për nevoja të tregut, por për të fshehur dhe ricikluar para të pista.
Sipas tij, çmimet e larta të pronave i kanë përjashtuar qytetarët e ndershëm nga mundësia për të blerë një banesë.
“Ekonomia e narko-shtetit mbahet në këmbë nga pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit. Ndërkohë që 56 mijë apartamente qëndrojnë bosh, qytetarët e ndershëm nuk përballojnë dot as një metër katror në kullat e ngritura me para droge”, shkruan Berisha në “Facebook”.
Ish-kryeministri i referohet ndërtimit si një ndër sektorët më të ndjeshëm ndaj aktivitetit të pastrimit të parave, duke ngritur alarmin për ndikimin që kjo ka në çrregullimin e tregut të banesave dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës për familjet shqiptare.
