Nga Elkier Bushkolaj/
Sheshi “Skënderbej” pasditen e 17 Tetorit ishte më i bukur se kurrë këtë dekadë, por ajo çfarë më ra në sy lehtësisht nga vëzhgimi në shesh ishte fakti se 80% e të pranishmëve në atë tubim ishin shqiptarë të ardhur nga Dardania dhe Ilirida.
Tirana dhe qytetet e tjera, me përjashtim të administratës, e “braktisën” atë takim me simbolikë të fortë, pasi dekadën e fundit është investuar më shumë se kurrë që Shqipëria e Kosova të jenë sa më larg, e kjo reflektohet në raportet e dy qeverive.
Do ta mirëkuptoja protagonizmin e Pandeli Majkos apo ministrave socialistë të kohës së luftës për këtë event, por protagonizmi i Taulant Ballës, i vetëshpallur Komandant “Motorsharra” për shkak të masakrave në pyjet e Librazhdit, ishte i tepërt.
Në Parlament dhe dje në takim në krah të djalit Hashim Thaçit, Taulanti të jepte idenë se në kohën e luftës së Kosovës mbante në shpinë çanta me armë për t’i çuar në Koshare, me të njëjtin vullnet që mbante çantën e Fatos Nanos të mbushur me alkol brenda në oborrin e Parlamentit.
Ky takim në mbrojtje të UÇK-së, përtej mesazhit patriotik që përcolli, tentoi që Edi Ramën ta ekspozonte si faktor de(stabiliteti).
Edi Rama është i pabesueshëm kur flet për Kosovën dhe Iliridën, sepse ai ka dëshmuar vetë se e di shumë mirë kush është idhulli i tij, Siniša Mihajloviç, miku i Arkanit që masakroi shqiptarë, por nuk ka as idenë kush është Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, së cilës serbët ia vranë brenda një dite burrin dhe katër djemtë e saj.
