‘Shqiptarët në varfëri ekstreme’, Nunaj: 40% e të ardhurave shpenzohen vetëm për ushqime bazë

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, foli mbi situatën ekonomike në vend dhe ndikimin e saj real te qytetarët, ku u shpreh se problemi më i madh nuk qëndron te vlera e pagës, por te fuqia blerëse e saj, e cila është më e ulëta në rajon dhe në Europë.

Sipas Nunajt, familjet shqiptare shpenzojnë deri në 40% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime bazë, një tregues alarmant i varfërisë strukturore dhe mungesës së mirëqenies. Ajo theksoi se rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe kostove të jetesës, krahas pagave të ulëta dhe informalitetit të lartë në tregun e punës, e kanë mbajtur popullatën në të njëjtin nivel mbijetese prej vitesh, pavarësisht propagandës për rritje ekonomike.

Ekspertja paralajmëroi se kjo situatë do të përkeqësohet më tej në të ardhmen, kur një pjesë e madhe e punonjësve të sotëm do të përballen me pensione minimale, si pasojë e sistemit të deformuar të pagave dhe informalitetit në rritje.

Pjesë nga deklarata:

Në të gjithë analizën, problemi më i madh nuk është te vlera e pagës, por te fuqia blerëse e saj. Sipas të dhënave, në Shqipëri kemi pagën me fuqi blerëse më të ulët në rajon dhe në Europë njëkohësisht. Ky është problemi më i madh dhe problematika e dytë që kemi është përqindja e të ardhurave që ne shpenzojmë për produkte ushqimore.

40% e të ardhurave mesatare të dhëna nga INSTAT 40% e të ardhurave të familjeve shqiptare shpenzohen për ushqime bazë, për të jetuar. Kjo është ndër nivelet më të larta nëse e krahasojmë me vendet e tjera në rajon dhe Europë, që e kanë sa gjysma.

Kjo do të thotë që ende familjet shqiptare punojnë, jetojnë për t’u ushqyer, dhe e gjithë pjesa e rritjes ekonomike të vazhdueshme që ka qenë në vend para dhe pas pandemisë, sërish nuk është reflektuar në një rritje të mirëqenies së popullatës.

Popullata pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare duke qenë se ka paga të ulëta dhe kemi një rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe kostove të jetesës, ka ngelur prej vitesh në të njëjtin nivel të shpenzimeve të të ardhurave për ushqim. Dhe kjo e bën edhe më pak të mundshëm një përmirësim të jetës, të cilësisë së jetesës, pra për më pak para që më pas mund të përdoren për gjëra të tjera.

E njëjta gjë lidhet, në këtë rast, edhe me rritjen e kostos familjare në vlerat që përmendim. Nëse i referohemi të dhënave nga INSTAT, sërish për katër familjarë, vlera e të ardhurave që nevojiten është gjithmonë e më e lartë.

Paga minimale është një atribut. Ne flasim për të dhëna zyrtare, kur kemi një treg pune i cili është në një nivel shumë të lartë informaliteti, dhe kjo do të thotë që paga reale nuk është e pasqyruar në atë që hyn në të dhënat zyrtare.

Pra, nëse kemi një numër të konsiderueshëm ku kemi gati gjysmën e popullatës me pagë minimale ndërkohë që kemi nivele shumë të larta informaliteti, ne kemi probleme sot me paga të kufizuara, por do të kemi sërish nesër me këta individë që sot janë punonjës dhe nesër do të dalin në pension do të kenë sërish pensione të ulëta.