Iu vdiq foshnja gjatë lindjes, merren të pandehur dy gjinekologët e Koço Gliozhenit (Emrat)

mjeket e marre te pandehur

TIRANË- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur dy mjekë gjinekologë të Maternitetit ‘Koço Gliozheni’, shtetasit Ervis Vata dhe Aida Hoxha për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të realizuar mbi procedimin penal nr.6713, të regjistruar pas kallëzimit të bërë nga shtetasja Adelina Zeqiri pasi humbi foshnjën e saj gjatë procesit të lindjes, dhe nga aktet e ekspertimit doli qartë se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon ose kur është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës, nuk janë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë, që do të kishte shmangur përdorimin e forcepsit nëse lindja do të ishte bërë me seksio cezarian, siç ishte planifikuar paraprakisht.
Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatëzanisë si dhe mjekut roje të gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, kanë qenë faktori vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur.
Si ndodhi ngjarja e rëndë
Ngjarja e rëndë ndodhi në 27 Korrik të vitit 2021 në Maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë. Një vajzë e sapolindur ka humbur jetën pas dy ditësh, pasi gjinekologët kanë përdorur pajisjen e quajtur Forceps, për ta tërhequr bebin.
Foshnja u dëmtua në kokë, e pas dy ditësh nuk ia doli. Adelina Zeqiri, nëna e foshnjes ka treguar kohë më parë për mediat se gjatë shtatzënisë ishte ndjekur nga doktoresha Aida Hoxha dhe ecuria e saj dhe e fëmijës ka qenë pa probleme. Meqë bebi ishte mbipeshë, Adelina me mjeken kishin vendosur, që lindja të bëhej me operacion. Por të resë i nisën dhimbjet më shpejt, ndaj shkoi në maternitet. Mjekja e saj nuk ishte në turn, por delegoi Adelinën te kolegu i saj Ervis Vata. Atë ditë e reja u la pa asnjë ndërhyrje nga stafi mjekësor.
Të nesërmen, kur erdhi doktoresha që kishte ndjekur Adelinën, kjo e fundit ishte shumë e lodhur nga dhimbjet për të lindur vetë apo për të përballuar operacionin. Në këtë pikë, doktoresha Aida Hoxha, i bëri narkozë dhe e nxori bebin përmes Forceps-it, një pajisje metalike si lugë./ZËRI