VIDEO/ Bardhi: Na mjaftojnë përgjimet e SkyECC për të kuptuar cilësinë e letrave të bakallit që na servir Balla

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të rregullores gjatë seancave parlamentare. Gjatë fjalës së tij, Bardhi theksoi se mazhoranca nuk respekton të drejtën e opozitës për të dhënë mendim mbi propozimet që paraqiten, duke i cilësuar vendimet e kryetarit si urdhra të njëanshëm.

“Është e disata herë që duhet t’ju kujtojmë rregulloren. Sa herë ka një propozim, ka të drejtë pala tjetër të japë mendimin e vet, por ju e konsideroni sikur është urdhër ndaj kryetarit të Kuvendit”, u shpreh Bardhi.

Ai akuzoi gjithashtu Taulant Ballën për ndërhyrje në punët e Kuvendit, duke e cilësuar atë si personin që dikton vendimet. “Nuk kemi nevojë të dëgjojmë letra bakalli që na vijnë nga Taulant Balla. Na mjaftojnë përgjigjet e SkyECC për të kuptuar cilësinë e letrave që dëshiron të na servirë”, shtoi ai.

Bardhi paralajmëroi se mosrespektimi i procedurave parlamentare rrezikon të shndërrojë Kuvendin në “listë dëshirash të Taulant Ballës”. Ai i bëri thirrje Peleshit të respektojë rolin institucional ose të lëshojë detyrën. “Ose luani rolin e kryetarit të Kuvendit, ose jepjani zotërisë të ketë edhe funksionin e kryetarit të grupit, edhe atë të kryetarit të Kuvendit”, përfundoi Bardhi.

Bardhi: 

Është e disata herë që do të duhet t’ju kujtojmë rregulloren, sa herë ka një propozim, ka të drejtë pala tjetër të japë mendimin e vet mbi propozimin. Ju merrni propozimin e e konsideroni sikur është urdhër ndaj kryetarit të Kuvendit, e hidhni në votim, pa dëgjuar nëse ky propozim është apo jo në përputhje me rregulloren.

E para, nuk kemi nevojë të dëgjojmë letra bakalli që na vijnë nga Taulant Balla, kemi dëgjuar mjaftueshëm përgjigje të SkyECC dhe na mjaftojnë ato për të kuptuar cilësinë e letrave që dëshiron të na servirë Taulant Balla.

E dyta, rregullorja të detyron një procedurë të caktuar. Pasi flitet 10 minuta pro dhe 10 minuta kundër mocionit, kalohet në votim për mocionin. Ai mund të ngrihet siç u ngrit herës tjetër të thotë s’ka debat, do votojmë. Sot mund të thotë s’do votojë fare, nesër mund të ngrihet edhe të thotë do mbyllim Parlamentin, por kjo nuk do të thotë që Kuvendi të kthehet në listë dëshirash të Taulant Ballës.

E thashë edhe dje në konferencën e kryetarëve: ose luani rolin e kryetarit të Kuvendit, ose lëshoni karrigen, jepjani zotërisë, të ketë edhe funksionin e kryetarit të grupit, edhe atë të kryetarit të Kuvendit, sepse ju nuk mund ta çoni autoritetin tuaj si numri 2 i shtetit në këmbët e Taulant Ballës.