‘SPAK po mbron qeverinë, jo ligjin’, Gjokutaj: Korrupsioni po mbulohet me ‘sekret hetimor’, drejtësia peng i politikës!

Avokati Genc Gjokutaj, i ftuar në emisionin ‘A SHOW’ me Adi Krastën, tha se Prokuroria e Posaçme dhe Dumani nuk japin llogari as para gjykatës dhe as para Parlamentit, ndërsa në mënyrë ironike vuri në dukje se persona që duhet të hetohen nga SPAK, sot janë ata që i kërkojnë llogari drejtuesit të këtij institucioni.

Duke iu referuar mënyrës së raportimit të Altin Dumanit në Komision, Gjokutaj theksoi se çdo pyetje për çështje konkrete mbyllet me përgjigjen e zakonshme “është sekret hetimor”, pa dhënë asnjë përgjigje thelbësore, ndërkohë që të gjitha aferat mbahen pezull me vite dhe asnjë person nuk është marrë në përgjegjësi penale.

Sipas tij, SPAK ka dështuar të përmbushë misionin e vet për të parandaluar korrupsionin dhe është shndërruar në një instrument që funksionon me urdhër politik. Ai shtoi se çështjet më të rënda që lidhen me energjinë, infrastrukturën apo tunelet miliardëshe, janë të zbardhura, kanë firmat, kanë shifrat dhe dëmet, por mungojnë emrat e përgjegjësve. Për Gjokutajn, ky është tregues i qartë i një drejtësie të kontrolluar politikisht.

Pjesë nga deklarata:

Unë i kam ndjekur sot edhe Prokurorin e Përgjithshëm, edhe Dumanin. Që në krye të herës, kjo lloj prokurorie nuk jep llogari në sallë gjyqi, përpara gjykatës, jo në Parlament.

Për ironi të fatit, njerëz që duhet të përgjigjen në SPAK, kërkonin llogari Dumanit. Këto janë anët e të njëjtit ekuacion. Ata bëjnë sikur pyesin dhe ai bën sikur përgjigjet.

Nuk e kuptoj dot: ai është i mbrojtur. Më komod se në Komision të Ligjeve nuk mund të jetë ndonjë prokuror, sepse ai, në momentin më të vështirë të tij dhe në agresivitetin më të madh të një deputeti të opozitës, thotë: “Hetimi është sekret” dhe vetëm se “çështja është nën hetim”.

Nën hetim janë të gjitha çështjet, aferat. Problemi është: a është marrë ndonjë njeri në përgjegjësi penale? Për sa dëm ekonomik flitet?

Tani janë bërë të zgjuar. Më përpara nuk i fillonin çështjet, tani i fillojnë dhe i hapin pa emër dhe i mbajnë pezull, duke u mbyllur gojën opozitës dhe qytetarëve me justifikimin “kjo çështje po hetohet”.

Por përgjegjësi pa individ, vetëm në Shqipëri kam parë. Që të hetohet çështja, flitet me shifra konkrete, me firma konkrete në tunelin e Llogarasë dhe kur vjen puna, emrat e personave mungojnë.

Kjo është një prokurori politike, dhe prapë nuk flet dhe nuk thotë çfarë bëhet me çështjet. Ne e kemi parë: ku i intereson SPAK-ut, ajo ka një zyrë shtypi ku ka dhënë edhe detaje në momentet e skandaleve, kur ka qenë e nevojshme të shpjegohet.

Aty del Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafaj dhe i kërkon llogari prokurorit të SPAK. Kush e ka bërë këtë reformë në drejtësi në këtë derexhe, ku të gjithë janë nën hetim dhe asnjë i pandehur ose i marrë si person nën hetim?

Çështja “nën hetim” është zero. Këto fakte penale kanë fabulën dhe personin përgjegjës dhe, për nivelin profesional që ka SPAK, këto çështje nuk janë të vështira për t’u hetuar.

Është pengesa politike ajo që e bën këtë prokuror të dalë dhe të thotë… Sepse, në fund të fundit, ky prokuror ndoshta sot nuk do t’i kishte këto pyetje, po të kishte vepruar brenda kohës që ligji i jep për të marrë subjektet e duhura, për të pushuar çështjet.

Pra, prokurori që mban një dosje me muaj e vite në sirtar, nuk është prokuror që heton, ai luan rol politik, dhe kur të marrë urdhër, atëherë vepron.