Nga Elton Qyno – Syri
Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, autorit të vrasjes së gjyqtarit të Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, ka zgjedhur të heshtë në polici, duke mos dhënë asnjë shpjegim mbi rrethanat dhe dinamikën e krimit.
Pavarësisht heshtjes në polici dhe qetësisë olimpike në sallën e gjyqit, ku u vra gjyqtari Kalaja, Gjon Shkambi është cilësuar nga prokuroria si shtytësi kryesor i kësaj ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik dhe mbarë drejtësinë Shqiptare.
Vetë Shkambi, gjatë marjes në pyetje është shprehur se në këtë rast ai nuk është autori i krimit por viktima e veprës penale që ka kryer nipi i tij.
Ai ka deklaruar se nuk pranon të japi shpjegime për rrethanat e ngjarjes, duke shtuar se policia dhe prokuroria, janë duke e marrë më qafë.
“…Unë jam një viktimë në këtë rast, pasi nuk kam vrarë askënd, jam viktimë veç pa plagë në trup, unë nuk kam ditur çfarë do të ndodhte sot…”-ka treguar Gjon Shkambi gjatë seancës së marjes në pyetje në policinë e Tiranës.
Sipas tij, Elvis Shkambi është djali i vëllait të tij dhe kanë një pronë të përbashkët, për të cilën ishin dhe në gjyq dhe nuk ka gjë tjetër për të treguar.
Ndaj Gjon Shkambit, policia dhe prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën e “Vrasjes ndaj funksionarit publik” gjyqtarit Astrit Kalaja dhe “Vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj babë e bir, Ragip dhe Elvis Kurtaj.
