Altin Dumani
TIRANË- Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, teksa foli për vështirësitë me të cilat janë përballur, përmendi edhe kërcënimet ndaj prokurorëve. Dumani bëri të ditur se prokurorët e posaçëm janë kërcënuar nga organizatat kriminale gjatë hetimeve për goditjen e tyre, por megjithatë duke theksuar se nuk janë ndalur në misionin e tyre.
“Prokurorët kanë rënë pre e kërcënimit nga organizatat kriminale. Kërcënime serioze jo sa për t’u thënë. Megjithatë prokurorët e kanë përballuar dhe janë përballur me ta duke ndërtuar ngritje penale të suksesshme”, tha drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.
Lidhur me këtë, Dumani nënëvizoi se pavarësisht situatave dhe kërcënimeve që përbëjnë rrezik, prokurorët bëjnë punën e tyre me hetimet ndaj çdo personoi, për të cilin ka prova për një çështje të caktuar.
“Ne nuk i kushtojmë rëndësi identitetit të personave, pasi çdo individ mund të hetohet nëse ka prova për një çështje të caktuar”, deklaroi Dumani.
Në Komisionin e Ligjeve, Dumani tha se trafikimi i narkotikëve dhe qenieve njerëzore mbetet në vlera të larta. Gjatë 2024, sipas tij janë goditur 16 grupe kriminale, ku 10 kanë përfunduar në Gjykatë. Grupet kanë komunikime të koduara dhe pastrojnë paratë përmes kriptovalutave.
