Pothuajse gjysma e të rriturve vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, por vetëm një përqindje e vogël arrin ta mbajë atë nën kontroll, njofton Index.hr. Ky “vrasës i heshtur” shpesh kalon pa u vënë re, duke rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe dështimit të zemrës.
Ekspertët paralajmërojnë se dieta dhe ushtrimet mund të mos jenë të mjaftueshme për të ulur presionin e gjakut, nëse nuk keni një gjumë të shëndetshëm. Kardiologu Dr. David CM Courteville shpjegon se gjumi ndihmon në balancimin e hormoneve, nervave dhe enëve të gjakut, duke mbajtur presionin nën kontroll gjatë natës dhe ditës. Për këtë arsye, Shoqata Amerikane e Zemrës e ka përfshirë gjumin si një faktor kyç për shëndetin e zemrës që nga viti 2022.
Aspekte të ndryshme të gjumit – sa gjatë flini, cilësia dhe rregullsia – ndikojnë drejtpërdrejt në rrezikun e hipertensionit, thotë Dr. David Risik. Studimet tregojnë se gjumi nën shtatë orë rrit rrezikun e hipertensionit me 7%, ndërsa më pak se pesë orë me 11%. Gjumi i çrregullt ose i keq mund të rrisë rrezikun deri në 48%. Edhe ndryshimet minimale në rutinën e gjumit, si 30 minuta më shumë ose më pak gjumë, mund të rrisin presionin e gjakut mbi 30%.
Mjekët këshillojnë disa hapa të thjeshtë për të përmirësuar gjumin dhe ulur presionin e gjakut: mbajtja e një orari të rregullt gjumi, krijimi i një mjedisi të qetë në dhomë, shmangia e ekranit 30-60 minuta para gjumit, rutina relaksuese si leximi ose muzika e lehtë, shmangia e kafeinës, alkoolit dhe vakteve të rënda para gjumit, si dhe ekspozimi në dritën e ditës për të rregulluar ritmin e trupit.
Dr. Risik përfundon: “Rrezet e diellit gjatë ditës ndihmojnë në vendosjen e ritmit të brendshëm të trupit, duke e bërë më të lehtë gjumin natën dhe duke ndihmuar në kontrollin e tensionit të lartë të gjakut.”
