Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor në Kosovë, duke theksuar se vendi fqinj po përballet me një fragmentarizim të thellë politik.
Bushati tha se Kosova mbetet një vend ku zgjedhjet zhvillohen dhe pushteti ndërrohet në mënyrë demokratike, por se situata aktuale politike tregon përçarje të thella midis forcave politike.
‘Ajo që mund të thuhet si konkluzion është se atje ka zgjedhje. Mënyra si del rezultati, si bëhen zgjedhjet etj., si ndërrohet pushteti. Por çfarë na ka bërë ne këto 7 muaj, që pas zgjedhjeve të Shkurtit. Na ka bërë që Kosova ka një skenë politike të fragmentarizuar në disa parcela që nuk janë në gjendje ta gjejnë fjalë me njëra-tjetrën.’
Sipas analistit, edhe rezultati i fundit tregon se tendenca e ndarjes politike në Kosovë po vazhdon dhe mund të përsëritet edhe nëse zhvillohen zgjedhje të parakohshme.
‘Edhe rezultati i zgjedhjeve lokale, edhe nëse do bëhen zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, nëse Kurti nuk bën dot qeveri, frika është që kjo pasqyrë, kjo tablo fragmentarizimi do përsëritet.’
Në përfundim, Bushati theksoi se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk gëzon më mbështetjen absolute që kishte dikur.
‘Pra kemi kaluar nga koha kur Albin Kurti merrte 50+1 të votës së kosovarëve, jemi në pikën që Vetëvendosja ngelet parti e parë, por jo parti që krijon qeveri vetë.’
