VIDEO/ Gledis Gjipali: Futja e standardeve evropiane rrit kostot dhe kërkon zbatim të fortë të ligjit

Drejtori ekzekutiv i Europian Movement Albania, Gledis Gjipali, ishte i ftuar në edicionin informativ ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, ku foli mbi sfidat që shoqërojnë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Sipas tij, futja e standardeve evropiane sjell dy elemente kryesorë: rritjen e kostove dhe forcimin e zbatimit të legjislacionit, të cilat mbeten të vështira për vendin tonë.

‘Futja e standardeve evropiane do të thotë, rritje e kostove dhe rritje e zbatimit të legjislacionit, dy elementë që janë të vështirë për Shqipërinë. Zbatimi për shkak të kulturës së dobët të zbatimit të ligjit dhe rritja e standardeve për shkak të kostos,’ u shpreh Gjipali.

Ai paralajmëroi se një proces i shpejtë integrimi mund të sjellë pasoja të menjëhershme për qytetarët shqiptarë.

‘Në rast se kemi një proces të shpejtë, do të thotë se kjo rritje të bëhet e menjëhershme dhe kjo ka pasoja, sigurisht për qytetarët shqiptarë.’

Megjithatë, Gjipali vuri në dukje se Bashkimi Evropian ka instrumente që mund të ndihmojnë në zbutjen e këtij procesi.

‘BE ka instrumente që bën ta zbusë këtë diferencë, për të pasur një proces sa më të qetë dhe më të pranueshëm, që të mos ketë kosto të menjëhershme.’

Në këtë drejtim, ai theksoi rëndësinë e një administrate të përgjegjshme dhe të përgatitur profesionalisht, e cila do të duhet të çojë përpara negociatat me BE-në.

‘Por këtu kërkohet që, administrata që çon përpara negociatat duhet të jetë shumë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme për çështjet që diskuton.’

Gjipali shtoi se, ndërsa në kriteret politike Shqipëria ka më shumë eksperiencë, në fushat specifike si mjedisi, bujqësia dhe zhvillimi rural, vendi përballet ende me mungesë kapacitetesh teknike.

‘Në kriteret politike ka më shumë eksperiencë, sepse janë diskutuar ndër vite edhe pse vullneti politik është diçka tjetër. Por në çështjet specifike, mjedisi, bujqësia, zhvillimi rural ne kemi problem edhe tek kapacitete teknike. Dhe në momentin kur do të kërkohet për t’u negociuar, do të duhet të mbështeten fort në argumente, statistika, plane zhvillimi,’ theksoi Gledis Gjipali gjatë bisedës në SYRI TV.