U firmos sot në Egjipt/ Çfarë shkruhet në Marrëveshjen e Paqes për Gazën që nënshkroi Trump

Trump firmos dokumentin e paqes për Gazën

EGJIPT- Presidenti Donald Trump dhe udhëheqës nga të paktën 20 krerë shtetesh nënshkruan të hënën dokumentin e Marrëveshjes së Paqes për Gazën, në Samitin e Paqes në Egjipt. Trump ishte i pari që firmosi këtë marrëveshje, të udhëhequr prej tij sipas Planit të Paqes që u hartua nga SHBA.

Ndërsa nënshkrimi shënon një hap simbolik përpara, përmbajtja e dokumentit ende nuk wshtw e qartw, por një imazh i kapur nga një fotograf në dhomë jep një ide se çfarë përmban ajo. Në paragrafin e parë të faqes së fundit të këtij dokumenti, theksohet kërkesa për tolerancën, dinjitetin dhe mundësitë e barabarta për çdo person.
“Ne kërkojmë tolerancë, dinjitet dhe mundësi të barabarta për çdo person, duke siguruar që ky rajon të jetë një vend ku të gjithë mund të ndjekin aspiratat e tyre në paqe, siguri dhe prosperitet ekonomik, pavarësisht nga raca, besimi apo etnia”, thuhet në dokument. 
Poshtë dokumentit, janë nënshkrimet dhe titujt e udhëheqësve rajonalë dhe ndërmjetësve të marrëveshjes së armëpushimit nga SHBA-ja, Egjipti, Katari dhe Turqia. 
Presidenti Donald Trump mbërriti në Sharm el-Sheikh të hënën për një samit me rreziqe të larta mbi të ardhmen e Gazës, pas një vizite festive në Izrael që shënoi marrëveshjen e armëpushimit me Hamasin. I shoqëruar nga presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, Trump vlerësoi homologun e tij si një “udhëheqës të fuqishëm” dhe i dha atij meritën për ndihmën në sigurimin e marrëveshjes.
Sisi u takua me udhëheqës nga Franca, Turqia, Katari dhe vende të tjera për të koordinuar rindërtimin dhe zbatimin e një armëpushimi. Samiti tërhoqi më shumë se 20 udhëheqës botërorë. Megjithatë, një ftesë e minutës së fundit drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u tërhoq pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi të bojkotonte ngjarjen.
Më herët gjatë ditës, Hamasi liroi 20 pengjet e fundit izraelite të gjallë te Kryqi i Kuq, ndërkohë që i dorëzoi edhe eshtrat e dy robërve të ndjerë. Izraeli u përgjigj duke liruar mbi 1,900 të burgosur palestinezë, duke shkaktuar skena emocionale në Ramallah dhe Gaza.
Trump e shpalli armëpushimin “fundin e epokës së terrorit dhe vdekjes” dhe shprehu interes për një marrëveshje paqeje me Iranin, pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael në vendet bërthamore iraniane gjatë verës. Ai gjithashtu pretendoi se kërcënimi i Hezbollahut nga Libani ishte “thyer plotësisht”./ZËRI