Gara në 5 bashki/ Pezullimi i Tiranës ul koston, KQZ: Ja sa do të jetë fondi për zgjedhjet e 9 nëntorit

TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka njoftuar se fondi për zgjedhjet e pjesshme në 5 bashkitë e vendit do të jetë 1.6 mln euro. Pas pezullimit të garës për bashkinë e Tiranës, fondi është ulur me 2 mln euro, pasi parashikimi fillestar ishte për një buxhet 3.6 mln euro. Në garë për zgjedhjet e pjesshme do të shkojnë bashkia e Vlorës, Tepelenës, Matit, Cerrikut dhe Beratit.
Konkretisht: 288 mijë euro për mallra, nga ku 85 mijë euro shkojnë për prodhimin e fletëve të votimit; 370 mijë euro do të kushtojë ngritja e sistemin elektronik të hedhjes dhe transmetimit të rezultatit të zgjedhjeve në kohë reale, përfshirë këtu edhe garantimin e pamjeve filmike nga Qendrat e votimit dhe Grupet e Numërimit; 230 mijë euro do të shkojnë për të paguar komisionerët dhe numëruesit. 100 mijë euro shkojnë për anëtarët e KAS që angazhohen në këto zgjedhje.
Bashkia e Beratit, Tepelenës dhe Matit “humbën” kryebashkiakët e tyre, pasi u zgjodhën deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Ndërkohë që Ermal Dredha dha dorëheqjen si kryebashki i Vlorës dhe Andis Salla u largua nga Cërriku pasi mori detyrën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Bashkia e Tiranës e cila bënte pjesë te 6 vakancat zyrtare për zgjedhjet e pjesshme lokale, është pezulluar për zhvillimin e zgjedhjeve deri në dhënien e vendimit të Kushtetueses mbi ankimin e Erion Veliajt lidhur me shkarkimin. Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt më 31 tetor./ZËRI