Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me deklaratën e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke theksuar se tragjedia e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja nuk duhet të përdoret si justifikim për kufizimin e lirisë së medias dhe të fjalës së lirë.
AGSH nënvizon se masat për sigurinë fizike dhe përmirësimin e kushteve të punës në gjykata janë të nevojshme, por çdo tentativë për të përfshirë autoritete si AMA apo AKEP në “monitorimin” apo “ndalimin e gjuhës së papërshtatshme” ndaj gjyqtarëve në media dhe rrjete sociale përbën rrezik serioz për censurë dhe kontroll institucional mbi shprehjen publike.
Në këtë kontekst, Asociacioni i Gazetarëve thekson se liria e medias është themeli i shtetit demokratik dhe çdo kritikë ndaj sistemit të drejtësisë është pjesë e pandashme e transparencës dhe llogaridhënies publike. AGSH shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me KLGJ-në për forcimin e etikës profesionale, por refuzon çdo ndërhyrje që cenon pluralizmin mediatik dhe të drejtën e qytetarëve për informacion të lirë.
Reagimi i Plotë:
Duke marrë shkas nga deklarata e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë thekson se tragjedia e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja nuk duhet të shërbejë si pretekst për kufizimin e lirisë së medias dhe fjalës së lirë.
Masat për siguri fizike dhe përmirësim të kushteve të punës në gjykata janë të domosdoshme, por çdo përpjekje për të përfshirë AMA-n, AKEP-in apo struktura të tjera në “monitorimin” apo “ndalimin e gjuhës së papërshtatshme” ndaj gjyqtarëve në media e rrjete sociale përbën një rrezik serioz për censurë dhe kontroll institucional mbi shprehjen publike.
AGSH kujton se liria e medias është themel i shtetit demokratik, dhe se çdo debat apo kritikë ndaj sistemit të drejtësisë përfshirë vendimmarrjet gjyqësore është pjesë e pandashme e transparencës publike dhe llogaridhënies. Ndalimi apo filtrimi i opinioneve përmes autoriteteve shtetërore do të krijonte një precedent të rrezikshëm që bie ndesh me nenin 22 të Kushtetutës dhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (neni 10).
AGSH është e gatshme të bashkëpunojë me KLGJ-në dhe institucionet e tjera për të forcuar etikën profesionale të raportimit mbi drejtësinë, por refuzon çdo formë ndërhyrjeje që mund të cenojë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
