Banka e Shqipërisë kufizoi kredinë e ndërtimit nga frika e fluskës

Banka e Shqipërisë ndërhyri për të kufizuar kredinë e sektorit të ndërtimit për shkak se i druhej rritjes së kredive të këqija. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se masat e marra, janë më shumë parandaluese ose mbrojtëse të sistemit bankar që të mos përsëritet kriza e 2008-ës.

“Për tregun e pasurive të paluajtshme, është një treg që po zhvillohet. Ne e shohim tregun në tërësi në raport me sektorin financiar. Shqetësimi ynë parësor është që mos të ndikojë në kreditim, ngjashmërisht me krizën e 2008-ës kur në Amerikë falimentuan bankat dhe tregu u fry u fry deri në momentin kur çmimet ranë, ra vlera e kolateralit dhe natyrisht kreditë nuk paguheshin më. Ndaj ne kemi marrë masat tona”, tha Sejko.

Megjithatë guvernatori theksoi mesazhin se bankat aktualisht janë në kushte të mira ekspozimi ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme.

“Sistemi bankar është i kontrolluar nga ekspozimi në këtë treg, por ne kemi marrë masa për të rregulluar ekspozimin më tej në këtë treg. E rëndësishme është që rritja e çmimeve të pronave duhet të shkojë në paralele me rritjen e të ardhurave të familjeve”, tha Sejko.

Përmes një rregulloreje, e cila hyri në fuqi në korrik të këtij viti, Banka e Shqipërisë kufizoi me tavan vlerën e kredisë që bankat private mund të japin për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Kredia në lekë për blerjen e banesës së parë, u kufizua deri në në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%.

Kufizimi tjetër i caktuar nga Banka Qendrore është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa për kredinë e dytë etj raporti ulet në 35%.

Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë. Sa u përket kësteve mujore, ato do të jenë sa 35% e totalit të të ardhurave të individin për huanë e shtëpisë së parë, dhe 30% kur është kredi për të blerë një pronë të dytë apo më shumë./kapitali.al/