Alarm për Afta Epizootike në Europën Qendrore: Sllovakia në gjendje të jashtëzakonshme, kontrolle në kufijtë me Austrinë, Hungarinë dhe Çekinë

Frika nga përhapja e sëmundjes virale shumë ngjitëse të Aftës Epizootike (FMD) ka detyruar vendet e Europës Qendrore të ndërmarrin masa të rrepta për mbrojtjen e bagëtive dhe sektorit bujqësor. Sllovakia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në fund të marsit, pasi u zbuluan tre raste në ferma të ndryshme. Qeveria sllovake ka rivendosur kontrolle kufitare me Hungarinë dhe Austrinë, masa që do të jenë në fuqi deri më 8 maj.

Ndërkohë, kontrollet e kamionëve në kufirin çeko-sllovak vazhdojnë për të tretën javë radhazi. “Edhe pse prania e sëmundjes nuk është konfirmuar në Austri, masa është e nevojshme për shkak të afërsisë së zonave të shpërthimit,” deklaroi ministri sllovak i Brendshëm, Matush Šutaj Eštok.

Ministri çek i Bujqësisë, Marek Výborný, u shpreh se kufizimet mund të hiqen vetëm 30 ditë pas asgjësimit të kafshës së fundit të infektuar. Ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh i përhapjes është përmes objekteve të ndotura – automjeteve, këpucëve dhe ushqimeve. “Kjo është mënyra më e zakonshme e transmetimit të virusit,” tha Jiri Cerny, profesor i asociuar në Universitetin Çek të Shkencave të Jetës në Pragë.

Afta Epizootike prek kryesisht lopët, por infekton edhe delet, dhitë dhe derrat. Virusi ruhet në pështymë, urinë, feçe dhe qumësht, dhe përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë apo përmes ajrit dhe sipërfaqeve të ndotura. Megjithatë, rreziku për infektimin e njerëzve mbetet shumë i ulët dhe i papërfillshëm.