Kapen 200 kilogramë kokainë në Romë, pranga 23-vjeçarit shqiptar, si u zbuluar nga karabinierët

droga e sekuestruar

ROMË- Një sasi e madhe kokaine është sekuestruar në Itali, ndërsa në pranga ka rënë një 23-vjeçar shqiptar. Sasia e kokainës prej 200 kilogramësh, sipas mediave italiane, do të kapte në treg një shifër prej 16 milionë eurosh. Kjo është një nga goditjet më të mëdha kundër drogës, që është bërë së fundi në kryeqytetin italian.
Karabinierët e kishin monitoruar për njëfarë kohe të riun shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije. Më 9 tetor, 23-vjeçari ishte duke ecur në rrugë me çantën e tij të shpinës, ndërsa shihte me kujdes, derisa karabinierët e ndaluan. Ai po fshihte një shumë të madhe parash. U bë menjëherë e qartë se nuk ishte aty rastësisht, por për të mbyllur një marrëveshjeje. Kështu, operacionet u shtrinë në shtëpinë e tij në zonën Tor Vergata, ku u zbulua një depo e vërtetë droge.
I riu kishte në zotërim tetë qese të mbushura me kokainë, të ndara në 191 blloqe me logo të ndryshme, që korrespondonin me 8,000 doza. Një “markë” për secilin lloj, për të kënaqur të gjitha shijet dhe nevojat e konsumatorëve, e destinuar të ‘përmbyste’ rrugët e Romës dhe të sillte një shumë të vlerësuar në rreth 16 milionë euro në arkën e krimit të organizuar, të dobishme për financimin e aktiviteteve të mëtejshme të paligjshme të bandave kriminale.
Por kjo nuk është e gjitha, sepse brenda shtëpisë kishte edhe një pistoletë dhe municione, të cilat u gjetën të vjedhura dhe gati për t’u përdorur për të mbrojtur ngarkesën e çmuar. Në shtëpi kishte edhe para, një shumë rreth 30,000 eurosh. /ZËRI