Themeluesi i Telegramit: Po na mbaron koha!

Pavel Durov, themeluesi i Telegram

Themeluesi i Telegram-it, Pavel Durov, ka zgjedhur të mos festojë ditëlindjen e tij të 41-të, duke e shfrytëzuar momentin për të lëshuar një mesazh të fortë kundër asaj që ai e quan “fundin e internetit të lirë”. Në një postim publik, Durov paralajmëron se brezi i tij po humbet betejën për ruajtjen e lirisë dhe privatësisë online, ndërsa qeveritë në mbarë botën po vendosin masa gjithnjë e më kontrolluese. Ai përmend si shembuj identifikimin digjital në Mbretërinë e Bashkuar, kontrollin e moshës në internet në Australi dhe planet e Bashkimit Europian për skanimin e mesazheve private. Sipas tij, shoqëritë po rrëshqasin drejt një realiteti distopik, ku brezat e rinj rrezikojnë të humbasin liritë që ndërtuan paraardhësit e tyre.
Shkrimi i plotë i Durov:
Po mbush 41 vjeç, por nuk kam dëshirë të festoj.
Brezit tonë po i mbaron koha për të shpëtuar internetin falas që ndërtuan për ne etërit tanë.
Ajo që dikur ishte premtim për shkëmbimin e lirë të informacionit, po shndërrohet në mjetin përfundimtar të kontrollit.
Vendet dikur të lira po prezantojnë masa distopike si identifikimi digjital (Mbretëria e Bashkuar), kontrollet online për moshën (Australia) dhe skanimi masiv i mesazheve private (BE).
Gjermania po persekuton këdo që guxon të kritikojë zyrtarët në internet. Mbretëria e Bashkuar po burgos mijëra njerëz për mesazhet e tyre në X. Franca po heton penalisht liderët e teknologjisë që mbrojnë lirinë dhe privatësinë.
Një botë e errët dhe distopike po afrohet me shpejtësi – ndërsa ne jemi ende në gjumë. Brezi ynë rrezikon të hyjë në histori si i fundit që kishte liri – dhe lejoi që ajo t’i merret.
Na kanë ushqyer me një gënjeshtër.
Na kanë bërë të besojmë se lufta më e madhe e brezit tonë është të shkatërrojmë gjithçka që na kanë lënë paraardhësit tanë: traditën, privatësinë, sovranitetin, tregun e lirë dhe fjalën e lirë.
Duke tradhtuar trashëgiminë e paraardhësve tanë, ne kemi hyrë në një rrugë drejt vetëshkatërrimit – moral, intelektual, ekonomik dhe në fund edhe atij biologjik.
Pra, jo, nuk do të festoj sot. Po më mbaron koha. NE të gjithëve po na mbaron koha!/ZËRI