Disa foto të vëzhguesit të ONM me përkthyesen bëjnë xhiron e rrjetit, avokati: Vijnë për aventura në Shqipëri

Pamje nga publikimet

TIRANE- Disa foto të vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Francesco Ciardi janë duke qarkulluar në rrjetet sociale. Fotot u publikuan nga avokati Arben Llangozi i cili thotë se ata që duhet të kishin përgjegjësi për integritetin e procesit të Vettingut, në fakt e kanë përdorur Shqipërinë për aventura personale. Sipas avokatit, fotografitë kanë një sfond romantik dhe Ciardi është lidhur me përkthyesen e tij. Megjithatë, në foto nuk duket asgjë e tillë. 
POSTIMI I PLOTë I LLANGOZIT: 
Vetingu i Turpit: Vëzhguesi i ONM Francesco Ciardi kapet në intimitet me përkthyesen. Kështu matet morali i drejtësisë së re?Na thanë: “Keni besim te drejtësia e re! Ajo po pastrohet nga të korruptuarit.”Por ja që “pastërtia morale” e drejtësisë europiane në Shqipëri paska marrë rreze dielli në plazh! Francesco Ciardi, përfaqësues i ONM-së në procesin e vetingut, ai që mbikëqyrte moralin dhe integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve, kapet në video në intimitet me përkthyesen e tij. E ku tjetër? Në Shqipërinë që duan ta mësojnë si bëhet drejtësia!A janë këta “vëzhguesit” që do të na mësojnë ne ndershmërinë?
 
 
A mos erdhën për të vlerësuar gjyqtarët apo për të bërë pushime e aventura personale? Ironia është se ndërsa gjyqtarët shqiptarë kalojnë në sitë për çdo cent dhe çdo fjalë të thënë, vëzhguesit ndërkombëtarë bëjnë shfaqje morale në bregdet dhe askush nuk guxon të flasë.Nëse kjo quhet “drejtësi europiane” apo “amerikane”, atëherë Shqipëria qenka bërë laborator i hipokrizisë ndërkombëtare. Na thonë të kemi besim në reformë, por si mund të kesh besim kur ata që predikojnë moralin, vetë e shkelin me rërë nën diell?
Ky është vetingu i turpit, ku drejtësia matet me standarde të dyfishta, një për shqiptarët dhe një tjetër për “zotërinjtë e ardhur nga jashtë”. Në fund, populli e kupton më mirë se kush po reformohet vërtet, drejtësia, apo xhepat dhe morali i atyre që e “drejtojnë” atë./ZËRI