Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër pas raportimeve për rritjen e çmimeve të pronave në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një manovër të qeverisë për të justifikuar pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.
Sipas Balliut, pas çdo ‘rritjeje të çmimeve të pronave’ që publikohet në media, fshihet një skemë e mirëorganizuar që përfshin agjencitë imobiliare, ndërtuesit dhe njerëz pranë qeverisë.
‘Agjencitë imobiliare po blejnë cash miliona euro prona! Rama i ka futur në skemën e pastrimit të parave, ndërsa SPAK hesht!’, shkruan Balliu në faqen e tij në Facebook.
Deputeti opozitar thekson se raportet ndërkombëtare kanë paralajmëruar për këtë fenomen, duke cituar në veçanti raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
‘Raporti i DASH-it thotë qartë: investimet e huaja po bien, sepse ekonomia shqiptare është mbushur me paratë e drogës,’ shton ai.
Balliu akuzon kryeministrin Rama për manipulim të opinionit publik përmes propagandës mediatike dhe institucioneve shtetërore.
‘Rama ka urdhëruar mediat dhe Bankën e Shqipërisë të propagandojnë ‘rritjen e çmimit të pronave’ për të justifikuar paratë e pista të narkotrafikut,’ shprehet deputeti demokrat.
Në vijim, ai ngre alarmin për një fenomen të ri në tregun imobiliar, ku sipas tij, pas zbulimeve nga komunikimet në aplikacionin SKY EÇ, shumë agjenci imobiliare janë përfshirë në blerje masive pronash me para në dorë, sidomos në Tiranë dhe zonat bregdetare.
‘Pas komunikimeve në SKY EÇ, agjencitë imobiliare blejnë masivisht prona me para cash në Tiranë e bregdet. Qeveria ka krijuar terrenin ideal për pastrimin e parave të drogës në ndërtim,’ deklaron Balliu.
Në përfundim të reagimit të tij, ai e quan Edi Ramën ‘arkitektin e kësaj skeme kriminale’.
‘Edi Rama është arkitekti i kësaj skeme kriminale,’ përfundon deputeti Klevis Balliu në reagimin e tij në rrjetet sociale.
