Sino Llanaj
TIRANË-Një pallat në ndërtim pa leje në zonën e Yzberishtit në Tiranë është bllokuar nga IMT. Aksioni, i mbështetur nga Policia Bashkiake, erdhi pasi në pallatin e biznesmenit Sino Llanaj janë konstatuar 4 mijë metra katror pa leje në pronë publike. Llanaj është ndaluar nga Policia në lidhje me rastin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 ndaluan shtetasin Sino Llanaj, 50 vjeç, pasi është konstatuar se në objektin e tij (pallat në ndërtim), në Yzberisht, ka kryer punime ndërtimi pa leje, në hapësirën e përbashkët të pallatit,”-thuhet në njoftimin e policisë.
Biznesmeni ka qenë protagonist në disa incidente, ku figuron edhe ndërtuesi i një kompleksi në zonën e ish-parkut të Autobusëve bashkë me Albert Allmuçën, por konflikti mes tyre ka lënë në qiell të hapur 120 familje. Ai është i denoncuar në disa raste në Polici, për shkak të problemeve që ka pasur me pallatet dhe apartamentet që ka nxjerrë në shitje.
Dy ortakët u konfliktuan me njeri-tjetrin për mosmarrëveshjet që kishin për ndërtimin e një pallati në zonën e ish-Parkut në Tiranë, por përveç përplasjes me njëri-tjetrin, të dy përfunduan edhe në Polici më 14 janar. Asakohe Sino i kishte borxh Allmuçës 3 milionë euro. Familjet që kanë blerë apartamentet kanë protestuar para ministrisë së Drejtësisë, pasi nuk kanë mundur që të futen në banesa prej më shumë se 10 vitesh.
Ndërkohë edhe në vitin 2022 Llanaj ka qenë protagonist i një tjetër incidenti, kur iu vendos zjarri qëllimisht makinës së vëllait të tij, Dritan Llanaj, e si pasojë u dogjën edhe disa mjete të tjera. Edhe ky incident ndodhi në garazhin e pallatit që ishte ndërtuar nga Sino Llanaj. Nga zjarri u dogjën katër mjete në total dhe mbetën të plagosur tetë persona. Por ngjarja nuk u zbardh kurrë, duke mbetur pa autor./ZËRI
