Altin Kodra
PEQIN-Altin Kodra është liruar nga burgu i Peqinit. Kodra vuajti dënimin në regjimin 41 biss për vrasjen e biznesmenit të tullave në qytetin e Shkodrës, Zamir Bilali. Ngjarja ndodhi më 14 gusht të vitit 2006, pas një grindjeje mes Kodrës dhe Bilalit, fqinjë mes tyre. Kodra u lirua pas përfundimit të dënimit.
Ai ishte dënuar me 22 vjet burg me vendimin nr. 236, datë 10.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Gjatë kohës që ka qenë duke vuajtur dënimin, ai është dënuar edhe për vepra të tjera penale. Më datë 11.10.2012, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, e ka dënuar për kryerjen e veprës penale “Largim nga vendi i qëndrimit”. Po ashtu, është dënuar në dy raste të tjera, me vendim të formës së prerë më datë 04.05.2022, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”./ZËRI
