Gara për ‘karrigen’ e kryebashkiakut! Nëntori nis me zgjedhje për 5 Bashki, Tirana në ‘ethe’ deri më 31 tetor

kandidatët

TIRANË-Politika shënjoi vjeshtën, me Kuvendin e ri pas zgjedhjeve të 11 majit, por dimri do të gjejë Shqipërinë sërish para kutive të votimit. Këtë herë gara do të zhvillohet për 6 Bashki të vendit, Tiranën, Vlorën, Beratin, Matin, Cërrikun dhe Tepelenën. 
Ishte shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj u hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme, por lëvizja e tij nga qelia do të ‘bllokonte’ postin e kryetarit të bashkisë. Pas procesit të shkarkimit të ish-kryebashkiakut të Tiranës, i cili kaloj nga duart e Këshillit Bashkiak, tek ai i Ministrave dhe në fund një firmë e kryeministrit Edi Rama, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit, të cilat u vendost të mbahen më 9 nëntor. 
Por Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Erion Veliaj, i cili ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës. Në këto kushte Tirana do të duhet të presë Gjykatën Kushtetuese, e cila do të mbajë seancën publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt më 31 tetor. Por a preken Bashkitë e tjera nga ky vendim?

Teksa karrigja e kryetarit të Bashkisë Tiranë do të vijojë bosh, në 9 nëntor zgjedhjet do të mbahen për 5 Bashkitë e tjera. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat, njoftoi se procesi për Tiranën është pezulluar, ndërsa fushata mund të vazhdojë për Vlorën, Beratin, Matin, Cërrikun dhe Tepelenën. 
“Në zbatim të këtij vendimi, KQZ ka pezulluar të gjitha përgatitjet që lidhen me procesin zgjedhor për Tiranën, ndërkohë vazhdon normalisht procesi për zgjedhjet në pesë bashkitë e tjera. Çdo veprim i KQZ-së është pezulluar që ditën e djeshme. Në datën 9 nëntor, është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për pesë bashkitë”, deklaroi ai.
Partitë kanë ‘ndezu motorët’

Gara e ‘nxehtë’ është ajo e Bashkisë së Tiranës, ku Partia Socialiste ka hyrë në garë me Ogerta Manastirliun, e cila do të ketë përballë kandidatin e pavarur Florjan Binaj, i cili u mbështet nga Partia Demokratike dhe Arlind Qori nga ‘Lëvizja Bashkë’. Por deri në fund të muajit tetor gjithçka është pezull.
Në Tepelenë, postin e kryebashkiakut e synon ish-komandantit të Gardës, Gramoz Sako, i zgjedhur nga Partia Socialiste, i cili do të garojë përballë Gabriel Gumës, një 26-vjeçar me profesion sipërmarrës, i zgjedhur nga Partia Demokraike. 
Njëjtë si në Tiranë edhe në Vlorë, opozita ka zgjedhur të mbështesë Dionis Sotën, i cili ka shpallur kandidaturën e pavarur nga partitë politike. Sota do të përballet me një grua nga mazhoranca. PS futi në garë për Bashkinë e qytetit bregdetar Brunilda Mersinin. Kjo e fundit, një depuetet e re, e cila hyri në Parlament nga zgjedhjet e 11 majit 2025, tashmë do të lërë mandatin.
Në Bashkinë e Matit nga Partia Socialiste kandidon Altin Bojni, i cili është ekonomist në profesion, drejtues i Shëndetit Publik dhe kryetar i Këshillit Bashkiak. Bojni do të garojë përballë Eduart Brahilikut i zgjedhur nga opozita. 
Amarildo Hoxha, me profesion doktor, është kandidatura e Partisë Demokratike për zgjedhjet e bashkisë së Cërrikut. Hoxha  do të garojë në zgjedhjet e 9 nëntorit përballë Florenc Dokës, kandidat i Partisë Socialiste. Dy kandidatët synojnë postin e Andis Sallës, i cili u largua nga Cërriku pasi mori detyrën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Për bashkinë Berat nga PS do të jetë Ervin Ceca, i cili për një periudhë 6 vjeçare është kryetar i Këshillit Bashkiak. Partia Demokratike përballë Cecës ka emëruar kandidat Pavlo Shkarpën.
Me zyrtarizimin e figurave politike, gara është e hapur dhe kandidatët kanë kohë deri në 9 nëntor të ‘luftojnë’ për postin e kryetarit të bashkisë./ZËRI