‘Deri në fund’/ Si Pano Ruçi detyron shtetin grek të rihapë hetimin për tragjedinë në Tempi

 

Përpara parlamentit grek, rojet presidenciale qëndrojnë drejt me fustanella dhe jelekë të qëndisur, duke ruajtur Varrin e Ushtarit të Panjohur. Të quajtur ‘Evzone’, ata janë të njohur për forcën dhe qëndrueshmërinë e tyre, të detyruar të qëndrojnë plotësisht të palëvizshëm për orë të tëra.

Metra më larg, Pano Ruçi ka fituar një reputacion të ngjashëm me ata, pas një greve urie 23-ditore për të detyruar autoritetet të zhvarrosin trupin e djalit të tij të vdekur dhe të kryejnë teste të reja për të përcaktuar saktësisht se si vdiq ai.

Denis Ruçi ishte midis 57 personave, shumë prej të cilëve studentë, të cilët vdiqën në vitin 2023 kur treni i pasagjerëve në të cilin po udhëtonin u përplas me një tren mallrash që po vinte në Tempi, midis Athinës dhe Selanikut, në një tragjedi që nxori në pah neglizhencën dhe keqmenaxhimin e sistemit hekurudhor të Greqisë. Denisi ishte 23 vjeç.

Hetimi zyrtar për aksidentin në Tempi u mbyll në fund të gushtit. Tridhjetë e gjashtë persona përballen me akuza për krime të rënda për ndërprerje të transportit, përfshirë shefin e stacionit që e dërgoi trenin e pasagjerëve në linjën e gabuar dhe një mori menaxherësh të rrjetit hekurudhor.

Gjyqi i tyre pritet të fillojë vitin e ardhshëm, por të afërmit e atyre që vdiqën ende po vënë në pikëpyetje versionin e shtetit për tragjedinë, mes polemikave mbi atë që transportonte treni i mallrave dhe nëse kjo mund të ketë kontribuar në vdekje.

Përveç pyetjeve në lidhje me sinjalizimin, komunikimin me radio dhe fajin e shefit të stacionit në Larisa, ku ndodhi aksidenti, audioja sugjeroi gjithashtu se disa nga 57 viktimat i mbijetuan përplasjes fillestare, por humbën jetën në zjarrin që pasoi-duke ngritur pyetje rreth asaj që shkaktoi një zjarr të tillë.

Vlerësimet kontradiktore nuk kanë arritur të zgjidhin një mosmarrëveshje nëse zjarri i madh mund të jetë shkaktuar apo jo nga vajrat e silikonit ose ndonjë substancë tjetër e ndezshme.

Pas aksidentit, u kryen teste toksikologjike mbi gjashtë persona-shoferët e trenave dhe kolegët e tyre-kryesisht për të përcaktuar nëse ndonjëri prej tyre kishte qenë nën ndikimin e drogës ose alkoolit, por jo mbi ndonjë prej viktimave.

Të afërmit e pikëlluar thonë se kjo ishte një neglizhencë e rëndësishme dhe më 15 shtator, 47-vjeçari Ruçi udhëtoi nga shtëpia e tij në Selanik dhe ngriti çadrën jashtë parlamentit në Athinë.

Greva e tij e urisë mori vëmendje kombëtare dhe mbështetje të zëshme, duke shtuar presion mbi shtetin derisa, më 7 tetor, prokurorët pranuan kërkesat e tij.

‘Ne fituam një betejë, ishte një fitore e madhe, për mua dhe për të afërmit e viktimave’, tha Ruçi për BIRN pak para se të çmontonte çadrën që kishte ngritur. ‘Por nuk kemi mbaruar ende, sepse kemi një rrugë të gjatë për të bërë.’

Një altar i improvizuar ndodhet përpara parlamentit grek në Sheshin Sintagma, në qendër të Athinës, me lule të vendosura në kujtim të 57 jetëve të humbura në aksidentin e Tempit, emrat e të cilëve janë shkruar me bojë të kuqe.

Vizitorët i shtrëngonin dorën Ruçit; disa e përqafonin, duke i shprehur mirënjohje për ‘aktin e tij të guximshëm’.

Përtej asaj që zbuloi aksidenti i vitit 2023 mbi keqmenaxhimin dhe neglizhencën në sistemin hekurudhor grek, reagimi i menjëhershëm i shtetit dhe hetimi zyrtar u kritikuan gjerësisht si të dështuar, në rastin më të keq si një fshehje e së vërtetës.

Në vitin 2023, prindërit e viktimave ngritën padi kundër mjekëve ligjorë për moskryerjen e testeve toksikologjike mbi 57 viktimat, të cilat zakonisht kryhen për të zbuluar praninë e drogës, alkoolit, metaleve të rënda apo kimikateve të tjera në trup.

‘Ka tregues seriozë që, në atë moment, njerëzit nuk mbusheshin dot me frymë’, tha në shtator Maria Karystianou, e cila humbi vajzën e saj në aksident. ‘Ata po merrnin frymë dhe po digjeshin nga brenda. Kemi djegie kimike edhe te persona nga ekipet e shpëtimit dhe mjekë ligjorë kanë raportuar djegie të shkaktuara nga vaji i silikonit. Kemi tregues se ka pasur prani kimikatesh.’

Me syzet e leximit të varura në qarë dhe byzylykë lëkure në kyçin e dorës së majtë, Ruçi tha për BIRN: ‘Dua të di se nga çfarë vdiq im bir, nga çfarë vdiqën fëmijët tanë.’

Prokurori i Gjykatës së Apelit në Larisa e kishte mbyllur padinë e prindërve kundër mjekëve, duke thënë se kishte ‘mungesë provash’ për të ngritur akuzë për neglizhencë në detyrë. Tani, megjithatë, zyra e prokurorit e ka rihapur çështjen dhe e ka lidhur me një hetim të ri paraprak mbi mungesat ose parregullsitë e mundshme në hetimin fillestar të aksidentit.

Sipas raporteve të mediave greke, kjo hap rrugën për kryerjen e testeve toksikologjike të kërkuara nga Ruçi dhe prindërit e tjerë, pa qenë nevoja që autoritetet të ndërmarrin hapin e sikletshëm të rihapjes së hetimit fillestar.

Kërkesa e babait të pikëlluar ishte kthyer në një pengesë të madhe për qeverinë e qendrës së djathtë Demokracia e Re të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, me tubime mbështetjeje të mbajtura në mbarë Greqinë dhe madje edhe me një vizitë nga kreu i Kishës Ortodokse Greke, Kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Hieronymus II, më 6 tetor.

‘Erdha të shoh një njeri që po vuan’, tha Hieronymus II. ‘Kudo që ka dhimbje, ne jemi afër.’

Më 2 tetor, ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, u duk se mbështeti kërkesat e Ruçit, kur tha: ‘Nuk mund ta imagjinoj… si mund të ndalohet e drejta e një babai për të hetuar gjithçka që ai e konsideron të nevojshme, në çfarëdolloj mënyre që ai e gjykon të përshtatshme, lidhur me vdekjen e fëmijës së tij.’

Por jo të gjithë në qeveri treguan mirëkuptim për gjendjen e Ruçit.

Dy ditë pas deklaratës së Dendiasit, ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, vuri në dyshim pse kërkesa për testet toksikologjike mbi viktimat nuk ishte dorëzuar sapo ishte hapur çështja. Në X (dikur Twitter), ai e quajti avokaten e Ruçit dhe udhëheqësen e partisë opozitare ‘Lëvizja e Lirisë’, Zoe Konstantopoulou, ‘një grabitqare të pushtetit dhe të vuajtjes njerëzore’.

Kur, në ditën e 19-të të grevës së urisë, Ruçi u shtrua në spital, Georgiadis akuzoi mjeken e tij, Olga Kosmopoulou, se ‘merrej me politikë, jo me mjekësi, pasi ajo është mjekja e të gjithë grevistëve të urisë të së Majtës’.

I pyetur për këto sulme, Ruçi u përgjigj: ‘Ata gjithmonë përpiqen të njollosin përpjekjet e çdo qytetari. Ofrojnë gënjeshtra për çdo të vërtetë që themi.’

Ruçi nuk i kishte treguar familjes së tij se çfarë kishte ndërmend të bënte.

‘E dija shumë mirë që nuk do të më linin të ikja’, tha ai. ‘Isha në një gjendje të tillë që nuk doja të flisja me askënd. Thjesht mora valixhen, u nisa nga Selaniku dhe erdha në Athinë me fotografinë e tim biri. Dhe të hënën, më 15 shtator, u ula këtu, vetëm. Dhe brenda një dite, ishte populli ai që më mbështeti.’

‘Kam kaluar shumë gjatë atyre 23 ditëve’, tha ai.

‘Ishte shumë e dhimbshme. Kishte shumë dhimbje, shumë lodhje, rraskapitje-dhe njëkohësisht kishte tallje. Sepse për 23 ditë ata talleshin me ne, bënin sikur kujdeseshin… por unë isha i vendosur ta çoja deri në fund. Ata s’e kishin llogaritur këtë gjë.’

Ai mbante në kokë një kapele të zezë dhe kishte veshur një bluzë të zezë me mbishkrimin ‘Deri në Fund’, të shkruar me të bardha në anën e zemrës; në dorën e djathtë mbante një rruzare.

‘Do ta çoja deri në fund’, tha ai.

‘Shpresoj që askush të mos arrijë në pikën ku ka arritur familja ime dhe të gjitha familjet e viktimave’, tha Ruçi për BIRN. ‘Unë arrita në këtë pikë ndërsa prisja që sistemi i drejtësisë të bënte detyrën e vet dhe ai nuk bëri asgjë.’