Letonia ka urdhëruar 841 qytetarë rusë të largohen nga vendi deri më 13 tetor, pasi nuk arritën të vërtetojnë njohuritë e tyre të gjuhës letoneze dhe nuk kaluan kontrollin e detyrueshëm të sigurisë, raportoi sot portali Politiko.
Vendimi vjen pas ndryshimeve të ligjit të imigracionit të miratuara pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, të cilat u ashpërsuan edhe më shumë në vitin 2024. Sipas ligjit, qytetarët rusë që duan të qëndrojnë në Letoni duhet të aplikojnë për statusin e qëndrimit afatgjatë në BE, të demonstrojnë njohuri të nivelit A2 në gjuhën letoneze dhe të kalojnë një kontroll sigurie deri më 30 qershor të këtij viti.
Rregullat e reja prekën rreth 30 mijë rusë që jetojnë në Letoni. Shumica prej tyre i plotësuan kërkesat ose u larguan vullnetarisht, ndërsa 2,600 u larguan nga vendi me dëshirë.
Megjithatë, 841 persona nuk dorëzuan dokumentet e nevojshme në kohë dhe tani janë të detyruar të lënë vendin brenda afatit të përcaktuar. Zyra e migracionit paralajmëroi se mosrespektimi i vendimit pa arsye të justifikuar mund të çojë në deportim të detyruar.
