Vrasja e pronarit grek dhe shqiptarit, autori fshihet në Athinë, çfarë kapën kamerat e sigurisë

pronari grek

GREQI-Autoritetet greke kanë rënë në gjurmët e autorit të vrasjes së pronarit grek të kampingut 68 vjeç dhe punëtorit të tij shqiptar. Autori pasi ka kryer vrasjen e dyfishtë është larguar drejt Athinës duke kaluar nga rrugë dytësore.
Policia greke ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, që tregojnë se autori është parë në Athinë. Aktualisht, një ekip i specializuar nga Kallamata bashkëpunon me Departamentin e Vrasjeve në Atikë për të arrestuar autorin dhe zbardhur rrethanat e ngjarjes, shkruan Protothema.

Mes të dyshuarve është edhe nipi i biznesmenit, që ka dhënë dëshmi kontradiktore, i vetmi i mbijetuar i sulmit fatal të dielën e kaluar, pasi besohet se ai dhe familjarë të tjerë janë mërzitur pasi e kanë ditur për testamentin, edhe pse më shumë se gjysma do i lihej atij. Për më tepër, autoritetet kanë gjetur një testament të mëparshëm të 68-vjeçarit, i cili dyshohet të jetë hartuar rreth një vit më parë dhe i vulosur.
“Po shkruaj testamentin tim në rast vdekjeje të papritur. Nipit tim të dashur….., djalit të vëllait tim të ndjerë…., sepse e dua si fëmijën tim pasi e kam pasur nën udhëheqjen time shpirtërore që kur ishte fëmijë dhe ai nuk i ka keqkuptuar kurrë urdhrat e mia dhe gjithmonë përpiqet të më bëjë të lumtur me shumë respekt dhe dashuri, ia lë pjesën më të madhe të pasurisë sime. Pastaj, “kujdestarit të kampingut, mikut të tij të dashur”, i cili u vra me të natën e së dielës, i lë  gjysmën e arës, “të cilën e zotëronte bashkë me nipin e tij të dashur”, si dhe shuma të konsiderueshme në bankat në Pylos.”, shkruan ai.
Në fund të testamentit, ai u ka lënë gjithashtu shuma të konsiderueshme parash motrës dhe djalit të saj, si dhe mikut të tij shqiptar, nëse nipi i tij do të vendoste të shiste pronën.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 5 tetorit, ku autori kishte hyrë në kamping si ‘klient i mundshëm’. Kur i është thënë se nuk kishte vende të lira, ai dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka hapur zjarr ndaj pronarit dhe punëtorit shqiptar./ZËRI