Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, i ftuar në SYRI DIGJITAL në SYRI TV, u shpreh se partia Demokratike ka bërë të qartë qëndrimin e saj për zgjedhjet në Tiranë, duke mbështetur kandidatin e pavarur Flor Binaj, ndërsa gjithë faktori opozitar është bashkuar rreth tij.
“Ka qenë një kërkesë edhe e qytetarëve që të provohen figura të tjera, por qeveria dhe makina e patronazhisteve nuk po funksionon si duhet,” theksoi Teliti, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe manipulimin e procesit zgjedhor.
Ai shtoi se shqetësimi i tij nuk është thjesht largimi i Veliajt, por largimi i tij njëherë e përgjithmonë, duke theksuar se procedurat nuk po respektohen dhe se Veliaj mund të shfrytëzojë rrugët ligjore vetëm për të shpëtuar vetveten. “Në Shqipëri kemi parë kriminelë që për mungesë proceduriale kanë fituar lirinë, ndërsa ata që janë fajtorë për veprat kriminale mbeten të paprekur,” u shpreh Teliti.
Qëndrimi i opozitës, sipas Telitit, është që dera për kthimin e Veliajt duhet të mbyllet përgjithmonë, duke theksuar se qytetarët dhe politika opozitare nuk do të lejojnë që manipulimi i pushtetit të vazhdojë.
Teliti:
Sa i përket zgjedhjeve për Tiranën, partia demokratike e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, ne ishim kësaj here për modelin e bashkimit të opozitës dhe faktikisht po ti shohësh, përveç një faktori, i gjithë faktori tjetër opozitar është i bashkuar rreth kandidatit të pavarur.
Ka qenë një kërkesë edhe e partive të tjera, ka qenë një kërkesë edhe e shumë qytetarëve që thonin ‘provoni edhe figura të tjera’. Erdhi momenti, ky është momenti për të treguar të gjithë veten, si qytetarët votues, si kandidati i pavarur Flor Binaj, ashtu dhe politika opozitare që mbështet kandidatin Binaj për të treguar se rrotacioni është i mundshëm dhe që makineria e patronazhisteve kësaj radhe të dali jo funksionale.
Për mua, shqetësim nuk është thjesht largimi i Veliajt, por largimi i tij njëherë e përgjithmonë. Pra, jo që për aspekte proceduriale nesër Veliaj të drejtohet edhe në gjykatën administrative, ti thot që ju nuk më thirret në Këshillin Bashkiak. Nuk u respektua procedura dhe siç dihet në Shqipëri, kur trajtohet baza ligjore, trajtohet edhe për përmbajtjen, edhe për formën. Ne kemi parë në Shqipëri kriminelë që për mungesë proceduriale kanë fituar lirinë, ndonëse janë të tërë që kanë qenë fajtorë për kryerjen e një ose disa veprave kriminale.
Pra, qëndrimi ynë ka qenë jo thjesht largimi i Veliajt, por mbyllja e derës për kthimin mbrapsht të Veliajt.
