Në mbarë botën u shënua sot Dita Botërore e Shëndetit Mendor, me temën e këtij viti të përqendruar tek shëndeti mendor në emergjenca humanitare.
Kjo ditë, e iniciuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që prej vitit 1992, synon të rrisë ndërgjegjësimin global për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor dhe përpjekjet për një mirëqenie më të qëndrueshme emocionale e psikologjike.
OBSH thekson se nuk ka shëndet pa shëndet mendor, duke nënvizuar domosdoshmërinë e mbështetjes psikosociale për njerëzit e prekur nga luftërat, fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat e tjera humanitare. Çdo vit, miliona njerëz në botë përballen me trauma që ndikojnë rëndë në jetën e tyre të përditshme dhe shëndetin mendor.
Sipas të dhënave të OBSH-së, pasojat psikologjike të këtyre situatave variojnë nga stresi i përkohshëm deri te çrregullime afatgjata si depresioni, ankthi apo çrregullimi i stresit post-traumatik. Një në pesë persona që kanë përjetuar konflikte lufte në dekadën e fundit, vuan nga probleme serioze të shëndetit mendor, përfshirë edhe çrregullime bipolare apo skizofreni.
Në kushte emergjente, shpeshherë shërbimet e shëndetit mendor ndërpriten ose bëhen të paarritshme, duke e vështirësuar ofrimin e ndihmës për grupet më të rrezikuara si personat me çrregullime të rënda mendore, të moshuarit dhe gratë.
OBSH apelon për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe sigurimin e kujdesit për vetë punonjësit që përballen me trauma gjatë ofrimit të ndihmës në terren. Organizata rekomandon që mbështetja psikosociale të përfshihet në çdo strategji emergjente — nga vetëndihma komunitare e deri te trajtimi klinik.
Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe planifikimit në kohë, OBSH thekson se është e mundur të sigurohet kujdesi dhe ndihma e nevojshme profesionale për më të prekshmit, duke përforcuar mesazhin se shëndeti mendor është themeli i mirëqenies njerëzore.
