Një trajtim i ri për një sëmundje inflamatore ligështuese që prek nyjet dhe lëkurën ka treguar rezultate premtuese të hershme në një provë klinike ndërkombëtare me mbi 200 pacientë në mbarë botën.
Rezultatet e provës treguan se pacientët me artrit psoriatik që u trajtuan me një ilaç të ri të quajtur sonelokimab, një “nanotrup”, arritën përmirësime shumë më të mëdha në dhimbjet e nyjeve, ënjtje dhe simptomat e lëkurës krahasuar me pacientët që morën placebo.
Të dhënat e studimit, të botuara në revistën Nature Medicine nga një grup ndërkombëtar ekspertësh të udhëhequr nga profesori Iain McInnes i Universitetit të Glasgow, treguan se më shumë se gjysma e pacientëve që morën sonelokimab patën një përmirësim të ndjeshëm të simptomave të nyjeve brenda 24 javësh, dhe shumë prej tyre panë që simptomat në lëkurë pothuajse u zhdukën plotësisht.
Përfitime u vunë re edhe në një sërë treguesish dhe simptomash të sëmundjes, përfshirë cilësinë e jetës; dhe deri në 60% e pacientëve arritën objektivin kryesor të trajtimit, të quajtur “aktivitet minimal i sëmundjes”, pas 24 javësh. E rëndësishme është që ilaçi u tolerua mirë, me efekte anësore kryesisht të lehta.
Artriti psoriatik (PsA) është një sëmundje kronike autoimune inflamatore që prek nyjet, lëkurën dhe tendinat. Ajo shkakton ngurtësi dhe ënjtje, duke e bërë lëvizjen të vështirë dhe të dhimbshme. Vlerësimet sugjerojnë se mbi një milion njerëz në Europë mund të vuajnë nga PsA, e cila ndikon rëndë në jetën e përditshme, ndërkohë që shumë pacientë nuk reagojnë mirë ndaj trajtimeve aktuale.
Sonelokimab është një ilaç eksperimental me “nanotrupa” i zhvilluar nga kompania MoonLake Immunotherapeutics. Ai është i pari i këtij lloji që testohet për PsA dhe është krijuar për të bllokuar dy proteina kryesore (IL-17A dhe IL-17F) që shkaktojnë inflamacionin në këtë sëmundje. Nanotrupat janë antitrupa shumë të vegjël (rreth 3–4 herë më të vegjël se antitrupat e zakonshëm), dhe dizajni i tyre i vogël mund t’i ndihmojë të depërtojnë më mirë në indet e inflamuara se trajtimet tradicionale.
Profesori Iain McInnes, zv/rektor dhe Drejtor i Kolegjit të Shkencave Mjekësore, Veterinare dhe të Jetës në Universitetin e Glasgow-t, tha: “Jam i kënaqur që udhëhoqa një ekip global për të ndihmuar në hartimin dhe interpretimin e rezultateve të këtij studimi të rëndësishëm. Duke parë rezultatet jashtëzakonisht premtuese, hapat e ardhshëm janë të testojmë më tej efektivitetin e sonelokimabit përmes provave më të mëdha në Europë dhe Amerikë.” / Medicalxpress – Syri.net
