Pranvera Stafa
TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka ndryshuar vendimin për prokuroren e Elbasanit Pranvera Stafa, e cila rikthehet në detyrë. Prokurorja e Elbasanit u shkarkua pasi iu konstatuan probleme me pasurinë, e cila është nga tre shtyllat e vetingut.
Njoftimi:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 16/2024, datë 14.05.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Pranvera Stafa kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 740, datë 08.03.2024.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 740, datë 08.03.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Pranvera Stafa.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall në Tiranë, më datë 09.10.2025.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në mars të këtij viti për shkarkimin nga detyra të prokurores së Elbasanit, Pranvera Stafa Selita.
Komisioni konstatoi pamundësi financiare të subjektit dhe familjarëve të saj për krijimin e disa depozitave, si dhe disa barra prove në kriterin profesional, për të cilat avokati Lushi pretendoi se i kishin përmbysur gjetjet.
Pranvera Stafa e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989. Ajo punoi prej më shumë se dy dekadash si prokurore pranë Prokurorisë së Elbasanit./ZËRI