Gjovalin Shkambi
TIRANË- Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Gjovalin Shkambin, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Gjovalin Shkambi u arrestua nga policia në Shkodër menjëherë pasi kërcënoi në një prononcim për mediat, duke thënë se gjyqtari që do ti dënojë nipin, Elvis Shkambi, do të ketë të njëjtin fat i Astrit Kalaja. 49-vjeçari u arrestua për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”
Çfarë deklaroi Gjovalin Shkambi?
“Ai gjyqtar që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, do të përballet me plumba, ka të njëjtin shpërblim. Ka 13 vjet që i shkojmë kryeministrit e gjithë qeverisë, na jepni pronën se ua kemi blerë. Provat i dhamë. Ose të na çojnë në burg, nëse e kemi privatizuar gabimisht. Familjes së ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë dhe i kërkoj hallallin me kishë e xhami.
Por ai që dënon atë djalë, ai gjykohet sikur është gjykuar Astriti. Kemi blerë pronën me ligj me rregulla, jemi me borxh. Kush dënon atë djalë të njëjtën gjë ka, në qoftë edhe Donald Trump edhe Papa, s’ka lojë me ne më. Ne i kemi fituar të gjitha gjyqet, i kemi me certifikatë, të hetojë shteti, se ka 13 vjet që i shkruaj Edi Ramës, liromë pronën. Dhe s’ka lojë më me ne”.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t’i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI
