‘Kush e dënon, ka të njëjtin fat’, pas deklaratës kërcënuese të Gjovalin Shkambit, reagon familja: Ishte në gjendje të rënduar psikologjike

Një ngjarje e rëndë tronditi kryeqytetin pak ditë më parë, kur Elvis Shkambi vrau me tre plumba gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Pak ditë më vonë, xhaxhai i autorit, Gjovalin Shkambi, bëri deklarata të forta dhe kërcënuese ndaj gjyqtarëve që do të vendosin për nipin e tij, duke thënë se “ai gjyqtar që e dënon nipin tim do të përballet me të njëjtin fat”.

Por sot, familjarët e Gjovalin Shkambit dolën me një reagim, ku kërkojnë falje publike për fjalët e tij dhe theksojnë se ato janë thënë në një moment të tronditjes dhe gjaknxehtësie.

‘E nisim këtë mesazh duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes së gjyqtarit të ndjerë! 

Shprehim keqardhje të thellë për gjithë situatën e krijuar pas deklaratave të babait tonë. 

Kërkojmë publikisht ndjesë për fjalët e thëna prej tij, të cilat, siç ka pranuar edhe vetë, janë shprehur në një moment gjaknxehtësie dhe tronditjeje të madhe.
Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente. 

Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike.

Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë!’  thonë familjarët në deklaratën e tyre. Ata theksojnë se nuk mbështesin në asnjë mënyrë kërcënimet dhe se respektojnë plotësisht institucionet e drejtësisë dhe proceset ligjore në vend.

“Babai ynë ishte në një gjendje shumë të rënduar psikologjike dhe fjalët e tij nuk reflektojnë qëndrimin e familjes,” shtojnë ata. Familjarët kërkojnë gjithashtu që mediat të respektojnë privatësinë e tyre në këtë periudhë të vështirë.

Ngjarja e rëndë dhe pasojat e saj kanë tronditur jo vetëm familjet e përfshira, por edhe gjithë opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri. 

LEXO EDHE:  ‘Kemi 13 vjet që i shkruajmë Ramës e qeverisë’ Konflikti i pazgjidhur i pronës. Xhaxhai i vrasësit të gjyqtarit kërcënon me tjetër krim

Deklarata e Gjovalin Shkambit:

Ai gjyqtar që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, do të përballet me plumba, ka të njëjtin shpërblim. Ka 13 vjet që i shkojmë kryeministrit e gjithë qeverisë, na jepni pronën se ua kemi blerë. Provat i dhamë. Ose të na çojnë në burg, nëse e kemi privatizuar gabimisht.  Familjes së ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë dhe i kërkoj hallallin me kishë e xhami.

Por ai që dënon atë djalë, ai gjykohet sikur është gjykuar Astriti. Kemi blerë pronën me ligj me rregulla, jemi me borxh. Kush dënon atë djalë të njëjtën gjë ka, në qoftë edhe Donald Trump edhe Papa, s’ka lojë me ne më.  Ne i kemi fituar të gjitha gjyqet, i kemi me certifikatë, të hetojë shteti, se ka 13 vjet që i shkruaj Edi Ramës, liromë pronën. Dhe s’ka lojë më me ne”