Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë, Boçi: Do vijojmë mbështetjen për Binajn

Vendimi i dhënë sot nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e garës zgjedhore për Tiranën në 9 nëntor, për demokratin Luçiano Boçi, nuk afekton në zgjedhjen e kandidatit të ri.

I ftuar në Top Channel, deputeti demokrat tha se mbështetja e opozitës do të vijojë të jetë për Florjan Binajn.

Boçi shtoi se sipas parashikimeve të tij, pas këtij pezullimi, data 9 nëntor është thuajse e pamundur që të shkohet në zgjedhje të parakohshme për Tiranën, por se me shumë gjasë data e re do të jetë 30 ditë pas 31 tetorit.

“Duhet të presim atë që do parashtrojë Kushtetuesja në 31 tetor dhe do qartësohet gjithçka për pasjen e një date. Nga përvoja ime, data 9 nëntor për Tiranën duket e pamundur. Pezullimi i datës do të thotë dhe pezullimi i datës së fushatës zgjedhore.

Marrja e një vendimi në 31 tetor, dikton që pas kësaj datë duhet të ketë një periudhë të re shtyrje prej 30 ditësh për fushatën për datën e re. Kreu i PD tha se nuk e afekton kjo kandidatin që mbështet opozita, Florjan Binaj. Më mirë që kemi më tepër kohë për fushatë”, tha Boçi.