“Koha e spiunëve në Kosovë ka mbaruar”- Arrestohet analisti Fatmir Sheholli, dyshohet se punonte për Serbinë

fatmir sheholli

KOSOVË- Policia e Kosovës ka arrestuar ish-drejtorin e Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë, Fatmir Sheholli, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky rast përbën “një nga aktet më të rënda” kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë.
“Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar; kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar Sveçla.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh.
Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj.
Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, thuhet në postimin e ministrit.
Sheholli ka deklaruar herë pas here nëpër televizionet e Kosovës se ka punuar për shërbimin sekret serb (UDB) gjatë periudhës para shpërthimit të luftës dhe ka shërbyer edhe në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) pas luftës së fundit në Kosovë.
Autoritetet kosovare të sigurisë kanë intensifikuar veprimet për identifikimin dhe ndëshkimin e veprimtarive që cenojnë sigurinë kombëtare. Në muajt e fundit, janë zhvilluar bastisje, sekuestrime dhe arrestime në kuadër të hetimeve për spiunazh.