Përfaqësuesi i posaçëm amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, do t’i bashkohen sot bisedimeve për planin e paqes në Gaza mes negociatorëve izraelitë dhe atyre të Hamasit në Egjipt.
Mbërritja e tyre vjen ndërsa raundi i dytë i bisedimeve indirekte, të zhvilluara të martën, përfundoi pa rezultate konkrete, bëri të ditur për BBC një zyrtar i lartë palestinez i përfshirë në negociata.
Donald Trump, duke komentuar situatën të martën shprehu optimizëm, duke thënë: “Ekziston një mundësi që të kemi paqe në Lindjen e Mesme.”
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk dha komente të drejtpërdrejta për ecurinë e bisedimeve, por u shpreh se vendi po kalon “ditë vendimtare”.
Në një postim në platformën X, ai tha se Izraeli do të vazhdojë veprimet për të arritur objektivat e luftës: “Kthimi i të gjithë të rrëmbyerve, eliminimi i regjimit të Hamasit dhe garantimi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.”
Sipas burimeve pranë negociatave, Witkoff dhe Kushner ishin planifikuar të niseshin nga SHBA të martën në mbrëmje dhe të mbërrinin në Egjipt të mërkurën.
