‘Shqiptarët në Amerikë meritojnë zërin e tyre në Kongres’/ Lulgjuraj: Me krenari për prejardhjen dhe mbiemrin tim

Robert Lulgjuraj, shqiptaro-amerikan me profesion avokat dhe Prokuror Republikan nga qyteti Sterling Heights në Michigan, ka shpallur kandidaturën e tij për në Kongresin amerikan në zgjedhjet e vitit 2026. Ai synon të përfaqësojë Distriktin e 10-të të Michiganit, duke zënë vendin e John James, i cili do të kandidojë për postin e guvernatorit të shtetit.

Lulgjuraj është i besimit katolik dhe anëtar i Famullisë shqiptare të Shën Palit në Michigan. Familja e tij ka rrënjë nga viset shqiptare në Mal të Zi, ndërsa gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969, duke u larguar nga komunizmi dhe persekutimi fetar.

Në një intervistë në A SHOW në SYRI TV, Lulgjuraj ka theksuar krenarinë për origjinën dhe mbiemrin e tij shqiptar. Ai ka treguar se vjen nga Mali i Zi, nga ana e babait dhe nga Kelmendi nga ana e nënës, duke nënvizuar se ndjehet plotësisht shqiptar edhe pse ka lindur dhe është rritur në Amerikë.

Sipas tij, koha ka ardhur që komuniteti shqiptaro-amerikan të ketë një përfaqësues në Kongres. Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhje dhe në mbështetjen e kandidatëve të tyre, duke e krahasuar këtë me mënyrën se si komunitete të tjera etnike, si arabët, grekët, italianët dhe aziatikët, kanë përfaqësuesit e vet politikë në institucionet amerikane.

Në qëndrimet e tij politike, Lulgjuraj shprehet mbështetës i presidentit Donald Trump dhe platformës republikane “Amerika e Para”. Ai ka theksuar se politika e demokratëve po tenton të sjellë modele socialiste që, sipas tij, nuk kanë funksionuar asnjëherë në asnjë vend. Lulgjuraj kujton se familja e tij u largua nga Shqipëria për të shpëtuar nga regjimi komunist dhe thekson se në Amerikë populli duhet të qëndrojë mbi qeverinë, ashtu siç e garanton Kushtetuta.

Ai deklaron se nuk vjen nga pozita të privilegjuara, por nga një familje shqiptaro-amerikane që beson në shërbimin publik dhe në vlerat tradicionale. Si prokuror në profesion, Lulgjuraj thotë se është përkushtuar ndaj njerëzve, së vërtetës dhe drejtësisë. Ai premton të jetë një përfaqësues i denjë i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe i qytetarëve të distriktit të 10-të në Kongres, duke theksuar se ka marrë mbështetje të gjerë dhe do të vazhdojë të punojë për këtë qëllim.

Lulgjuraj:

Jam shumë krenar për mbiemrin tim, është mbiemri i babait tim, ai është nga Malësia e Madhe, dhe nga ana e nënës janë nga zona e Kelmendit kështu që jam 100% shqiptar.

Kam lindur në Amerikë, tani është koha që të garoj për Kongresin amerikan, sigurisht që kam shtetësinë amerikane por kam gjak shqiptar në deje.

Në këtë zonë ku jetoj unë, në Michigan ka shumë shqiptarë kështu që njerëzit janë të njohur me shqiptarët.
Jam shumë krenar për mbiemrin sepse është shumë i bukur.

Kemi nevojë për të gjithë shqiptarët të votojnë, të dhurojnë, të suportojnë, e të tjera sikurse janë arabët, grekët, italianët, aziatikët, ata kanë përfaqësuesit e tyre në Kongres dhe tani kemi nevojë për një shqiptar që shqiptarët të kenë përfaqësuesin e tyre në Kongres.

Nën drejtimin e presidentit Donald Trump, pjesë e partisë së cilës jam edhe unë, demokratët duan të sjellin socializmin, asnjëherë nuk ka funksionuar dhe në asnjë vend nuk ka funksionuar.
Prandaj edhe familja ime u arratis nga Shqipëria, nga Malësia e Madhe, dhe ne në Amerikë shohim se kemi të drejtat tona nën Kushtetutën dhe mbi të gjitha populli është mbi qeverinë, dhe ne nuk e lavdërojmë dhe nuk i lutemi qeverisë, njësoj si disa vende të tjera e kanë qeverinë si idhullin e tyre dhe pikërisht këtë mbështet edhe Trump.

Ne jemi të interesuar për paqen, kudo populli, kudo do administratë, ne duam që të kemi paqe kudo në vend.
Tani ne jemi në krye të republikanëve, kemi pasur donacione edhe prej republikanëve, edhe prej demokratëve. Jam i vetmi person i cili ka lindur dhe është rritur në këtë distrikt dhe votuesit duan dikë të tillë.

Unë nuk vij nga pozicione me pushtet prestigji, unë vij nga një familje shqiptaro-amerikane që beson te shërbimi publik, që beson te rrënjët e te vlerat. Gjithashtu kam qenë edhe prokuror, kështu që kujdesem për njerëzit, për të vërtetën, për drejtësinë dhe ky është udhëheqësi që duan amerikanët, dhe unë këtë lloj lideri do t’ju jap. Do të jem përfaqësues shumë i mirë i personave të këtij distrikti dhe do të përfaqësoj komunitetin shqiptaro-amerikan në Kongres dhe ne kemi marrë shumë mbështetje, dhe vazhdojmë të punojmë.