EDI RAMA
TIRANË- Nga sot Shqipëria bëhet pjesë zyrtarisht e SEPA (Zona e Pagesave të Vetme në Euro).
Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë tashmë transferta në euro drejt vendeve të BE-së me komisione minimale dhe në të njëjtat kushte si brenda Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër sukses në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, duke theksuar përfitimet e drejtpërdrejta që do të ndjejnë qytetarët dhe bizneset.
“RRUGA DREJT ANËTARËSIMIT dhe suksesi në negociata, sjellin një LAJM SHUMË TË MIRË.
Nga sot, 7 tetor, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE.
Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro) dhe shqiptarët do të paguajnë Komisione të njëjta me transfertat brenda vendit – sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, vetëm vitin e parë parashikohet një kursim prej rreth 20 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset shqiptarë”, shkruan Rama në postimin e tij.
SEPA është një sistem i përbashkët i pagesave në euro, i cili u lejon përdoruesve të kryejnë transferta ndërkufitare brenda hapësirës evropiane, po aq thjeshtë dhe me të njëjtat tarifa si pagesat kombëtare. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë sistem shënon një tjetër përputhje me standardet financiare të BE-së dhe një lehtësim të ndjeshëm për të gjithë përdoruesit e shërbimeve bankare./ZËRI
