Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit, ky gjyqtari Astrit Kalaja u vra nga një person që ishte palë në proces.
Në postimin e tij në Facebook, Këlliçi thekson se ‘është i shqetësuar për klimën e rënduar, gjuhën e urrejtjes ndaj gjyqtarëve, linçimin publik që shpesh ka ardhur nga pushteti me në krye kryeministrin e vendit, në dëm të magjistratëve’.
‘Pushtet i cili pas “farsës” zgjedhore, e ka rënduar akoma më shumë konfliktin social, sidomos në çështjen e pazgjidhur të pronës dhe dramat që ajo prodhon’, shkruan Këlliçi.
Postimi i plotë:
Vrasja e sotme e gjyqtarit të Apelit, z. Astrit Kalaja, është padyshim një ndër aktet më të rënda të tranzicionit, tragjik dhe shkatërrimtar për frymën e zbatimit të ligjit dhe paqen sociale në vend.
Si deputet i Kuvendit, organit më të lartë ligjvënës, si politikan i angazhuar por edhe si qytetar i thjeshtë, nuk mund të mos shpreh shqetësimin për klimën e rënduar, gjuhën e urrejtjes ndaj gjyqtarëve, linçimin publik që shpesh ka ardhur nga pushteti me në krye kryeministrin e vendit, në dëm të magjistratëve.
Pushtet i cili pas “farsës” zgjedhore, e ka rënduar akoma më shumë konfliktin social, sidomos në çështjen e pazgjidhur të pronës dhe dramat që ajo prodhon.
Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të gjyqtarit të ndjerë, i bëj thirrje të gjithë faktorit politik, medias, shoqërisë civile që të bashkohen në mbrojtje të njerëzve të ligjit, në një moment kritik të shtetit tonë.
Akti i sotëm meriton ndëshkim ekstrem!
