DINAMIKA/ Tre plumba në gjoks, autori e qëlloi gjyqtarin sapo u ngrit të jepte vendimin, si iu shmang kontrollit të sigurisë në Gjykatë

vendngjarje-Astrit Kalaja

TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja që tronditi kryeqytetin pasditen e sotme, ku u qëllua me armë zjarri  në Gjykatën e Apelit në Tiranë, gjyqtari Astrit Kalaja. E gjithë ngjarja ka ndodhur brenda një salle gjyqi, ndër më të voglat në Gjykatë, ku gjyqtari Kalaja ka qenë duke shqyrtuar një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. 
Dyshohet se autori tashmë i identifikuar, Gjon Shkëmbi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkëmbi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. 
Por ajo ç’ka e bën më tronditëse dhe të çudishme këtë ngjarje, është fakti se si një person i armatosur është futur brenda institucionit të drejtësisë. Si mund ta ketë shmangur autori kontrollin e sigurisë, me armën në xhep, dhe të jetë futur krejt lehtësisht brenda sallës së gjyqit?!
Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t’i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital./ZËRI