Kërpudhat magjike mund të ndihmojnë në ndërprerjen e ciklit dhimbje-depresion

Studiuesit në qendrën shëndetësore amerikane Penn Medicine kanë zbuluar se qarqe specifike të trurit preken nga psilocibina, përbërësi aktiv në disa kërpudha psikedelike, duke hapur mënyra të reja për të trajtuar dhimbjen dhe problemet e shëndetit mendor.

Studimi i ri, i botuar në Nature Neuroscience nga Shkolla e Mjekësisë Perelman e Universitetit të Pensilvanisë, hedh dritë mbi mënyrën se si mund të prishet kjo lidhje midis dhimbjes kronike dhe depresionit.

Të ashtuquajturat kërpudha magjike, njihen dhe përdoren për qëllime rekreative për efektet e tyre psikedelike. Edhe për qëllime mjekësore, psilocibina mbetet e paligjshme në shumicën e vendeve, por një numër gjithnjë e në rritje kërkimesh sugjerojnë se ajo ka përdorime të mundshme terapeutike.

Ekipi i Pensilvanisë studioi dy modele të dhimbjes kronike tek minjtë – njëri i shkaktuar nga dëmtimi i nervit dhe tjetri nga inflamacioni.

Këta minj zhvilluan gjithashtu sjellje të ngjashme me ankthin dhe depresionin. Katër javë më vonë, studiuesit u dhanë minjve psilocibinë. Të nesërmen, kafshët treguan më pak ndjeshmëri ndaj dhimbjes dhe përmirësime në humor. Këto përfitime zgjatën për 12 ditë, deri në përfundimin e studimit.

Për të përcaktuar saktësisht se ku funksiononte psilocibina, studiuesit testuan formën e saj aktive, psilocinën, duke e injektuar atë ose në tru ose në nervin kurrizor.

Vetëm injeksionet në tru prodhuan lehtësim dhimbjesh dhe përmirësime të humorit. Studime të mëtejshme treguan se psilocina qetësoi neuronet tepër aktive në rajonin e trurit të lidhur me dhimbjen dhe emocionet, duke e ulur aktivitetin e tyre në nivele normale.

Psilocina vepron duke u lidhur me receptorët e serotoninës. Për të zbuluar se cilët receptorë ishin përgjegjës, ekipi bllokoi dy prej tyre. Kur ata e bënë këtë, psilocina nuk lehtësonte më dhimbjen ose nuk përmirësonte humorin.

“Ky studim i ri ofron shpresë. Këto gjetje hapin derën për zhvillimin e terapive të reja, jo-opioide dhe jo-varësuese, pasi psilocibina dhe psikedelikët e lidhur me të nuk konsiderohen si varësi”, vuri në dukje autori kryesor Joseph Cichon.

Më herët në vitin 2025, Shoqata Amerikane e Kancerit publikoi gjetjet e një faze të dytë të testeve që treguan një ulje “të ndjeshme” të depresionit tek më shumë se gjysma e pjesëmarrësve dy vjet pas marrjes së një doze prej 25 miligramësh psilocibinë.

Ndërkohë, një studim i vitit 2025 nga Kolegji i Mjekësisë Baylor dhe Universiteti Emory në SHBA, zbuloi se përbërja aktive psikedelik mund të zgjasë edhe jetëgjatësinë qelizore dhe të organizmit, duke zvogëluar shenjat dalluese të plakjes në qeliza./ DPA News.