Shkaktoi aksidentin masiv në tentativë për t’i ikur policisë, Imer Krrashi ‘kyç’ gojën për armën që iu gjet në makinë

Imer Krrashi

TIRANË- Imer Krrashi ka refuzuar të deklarojë para hetuesve për atmën e gjetur në makinën me të cilën lëvizte në kryeqytet. Burimet pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai ka kërkuar të flasë në një moment të dytë. 31-vjeçari u arrestuar të dielën pasi tentoi t’i ikte me shpejtësi policisë për shkak se lëvizte me armë zjarri, duke shkaktuar dhe një aksidenti masiv ku u përfshinë 7 makina dhe një motor.
Policia kishte informacion të saktë për vendndodhjen e tij, pasi Krrashi jetonte me bashkëshorten në një banesë me qira në afërsi të Liqenit të Thatë. Mësohet se automjeti me targa gjermane, brenda të cilit u gjet arma, rezulton i regjistruar në emër të tij.
Në vitin 2022, Imer Krrashi ra në prangat e policisë italiane në Trentino, pasi kryente vjedhje së bashku me disa persona të tjerë. Njëri prej tyre ishte edhe Edison Pula, i dënuar në Shqipëri me 20 vite burg për një atentat me eksploziv ndaj ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur në Larushk, ku ish-punonjësi i policisë mbeti i plagosur rëndë.
Imeri dhe Edisoni, të dy nga Fushë-Kruja, u arrestuan në një qendër tregtare në Itali, pasi më 14 nëntor 2021 kishin kryer një vjedhje në Marok të Mogliano Veneto, brenda vilës së biznesmenit italian Giancarlo Miotto. Imer Krrashi përdorte edhe identitete të tjera, si: Imer Masha dhe Imer Uka. Këto identitete të rreme i shfrytëzonte për të kryer vjedhje në Itali./ZËRI