VIDEO/ ‘Djali, siguroje pak mjetin, zbrit’, dalin pamjet, si u largua duke tentuar të shtypë efektivët Imer Krrashi

Momenti i kontrollit

TIRANE- Janë publikuar pamjet e momentit kur 31-vjeçari, i cili u përplas me nëntë automjete në zonën e Saukut, tenton të arratiset. Policia e Shtetit sqaron se Imer Krrashi, i njohur më parë për precedentë penalë, ishte në vëzhgim nga policia pas dyshimeve se mbante armë me vete.
Në çastin kur efektivët i kanë kërkuar të ndalojë dhe t’i nënshtrohet kontrollit, ai ka tentuar të largohet me shpejtësi nga vendngjarja.
“Djali, fike pak makinën, siguroje mjetin”,-dëgjohen efektivët në video, ndërsa sapo i kanë kërkuar të zbresë ai i ka dhënë gaz makinës, duke u largua nga pika e kontrollit.
Gjatë arratisjes, 31-vjeçari ka goditur nëntë makina dhe një motor. Si pasojë e përplasjes, janë lënduar drejtuesi i motorit një efektiv policie jashtë shërbimit dhe bashkëshortja e tij. Të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën. I riu është arrestuar pas ndjekjes nga Policia, ndërsa iu gjet edhe arma, për të cilën u dha edhe shenja e ndalimit. 

NJOFTIMI I PLOTË:
Rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. K., 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.
Pas ndalimit, në momentin që shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur se ndaj tij dhe automjetit do ushtrohej kontroll, 31-vjeçari ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke perplasur disa automjete dhe 1 motomjet. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri në motomjet, të cilët ndodhen në spital. Pas një ndjekje intensive u bë ndalimi i automjetit. Gjatë kontrollit të automjetit i është gjetur një armë zjarri pistoletë. Infomacion më të detajuar do të jepet në përfundim të veprimeve proceduriale./ZËRI