Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Sarandës. 58-vjeçari Isuf Jaçaj, person me precedentë penalë, është ekzekutuar me eksploziv në automjetin e tij në lagjen nr. 3 të qytetit bregdetar.
“Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën” informoi policia.
Sipas burimeve paraprake, shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në zonë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Kush është viktima?
Isuf Jaçaj është babai i 31-vjeçarit Klaus Jaçaj, i cili ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”. Klaus Jaçaj është përfshirë në ngjarjen e datës 17 korrik 2025, kur Ramadan Zoto plagosi me armë në lagjen nr. 4 të Sarandës shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama nga Kamza.
Kujtojmë se më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni kishte vendosur eksploziv në automjetin e Klaus Jaçajt, duke e shkatërruar plotësisht. Ajo ngjarje mbeti ende e pazbardhur, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse mes dy incidenteve ka ndonjë lidhje.
Policia e Sarandës dhe strukturat hetimore të Drejtorisë së Vlorës janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit.
