Mjekja e shëndetit mendor, Nikolina Bode, ka zbuluar se vajza 13-vjeçare e cila u hodh pasditen e së shtunës nga kati i tretë, në qytetin e Korçës, thotë se do e bëjë përsëri këtë veprim.
‘Problematikat janë të hershme, ka probleme familjare dhe sociale. Me një prind të munguar, babai me histori dënimesh për vepra penale,’-shprehet doktoresha Bode.
Sipas saj, konflikti në familje shpesh përfundon me ndërhyrjen e policisë, çka është bërë një situatë e përsëritur që ndikon drejtpërdrejt te fëmijët.
‘Fëmijët arsyetojnë që policia mos të vijë kur thirret nga nëna. Vendosmëria e vajzës 13-vjeçare për të arritur qëllimin, më shqetëson. Nuk e përjeton ngjarjen emocionalisht. Nuk ka frikën e humbjes së jetës dhe e përdor si kërcënim që mund ta përsëritë,’ thekson Bode.
Mjekja nënvizon se rreziku kryesor qëndron tek qëllimi i tentativave, të cilat kryhen pa ndjerë pendesë. Ajo e konsideron të frikshme faktin që edhe nëna, e cila është në kontakt të ngushtë me fëmijët e saj minorenë, shfaq sjellje problematike që mund të ndikojnë tek fëmijët më të vegjël.
‘E para është vetë nëna që është në kontakt me fëmijët e saj minorenë dhe është e frikshme që ky model të shihet nga fëmijët e tjerë të vegjël. I japin të drejtë motrës për këtë veprim por nuk duan ta humbin,’ tregon Bode.
Ndërkohë, 13-vjeçarja ka deklaruar se e do lagjen ku jeton, por për shkak të konflikteve të vogla e të parëndësishme, situata shpesh përshkallëzohet për shkak të ndërhyrjes së të rriturve dhe njoftimit të policisë nga nëna.
‘Thotë që unë e dua lagjen, por për konflikte të vogla të parëndësishme, hyjnë në lojë të mëdhenjtë dhe njoftimi i policisë nga ana e nënës bën që të kryejë atë veprim,’ – tha doktoresha Nikolina Bode.
