Berisha pas mbledhjes në PD: Nuk kam ende një kandidat, brenda 2 ditëve do ketë një emër

Sali Berisha

TIRANË- Pas përfundmit të mbledhjes së kryesisë së PD-së, Sali Berisha në një prononcim për mediat është shprehur se Partia Demokratike është ende në diskutim bashkë me partitë e tjera për gjetjen e një emri që do të jetë kandidati për Bashkinë e Tiranës. Ai është shprehur se “nuk i lejohet” të thotë asnjë emër dhe se brenda 2 ditëve emri mund të bëhët publik.
Në fjalën e tij Berisha ka theksuar se PD është e hapur për secilin intelektual dhe personalitet të Tiranës për t’u vetëofruar si kandidat i opozitës në zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës.
“Unë nuk jam këtu për të diskutuar për asnjë emër. Nuk më lejohet mua. Nëse unë ftoj intelektualë, ftoj specialistë, ftoj ekspertë që të konsiderojnë kandidimin e tyre në betejë për Tiranën, Beratin, në betejë për Vlorë, për të gjitha qytetet, atëherë çfarë kuptimi ka të dal e të them unë, mbështes filanin, ose nuk mbështes filanin. Jo. Tani, edhe njëherë nuk kam asnjë prononcim për kandidatin. Ka përcaktuar bandat kriminale, se ajo Lubia ka filluar takimet me bandat. Është takuar me Asllani i Vorës dhe me radhë dhe po takon bandat. Aty ligjin po e bëjnë bandat.  Unë nuk them se, nuk është një kohë e ngushtë. Është një kohë e ngushtë, por ne po i bëjmë këto gjëra, do ti realizojmë.  Mendoj se dy ditët e ardhshme do të ishte kohë e përshtatshme se dhe zgjatja është e pamundur. Sot dhe nesër do të pritet. Nuk ka gjë të përcaktuar, nuk ka asgjë. Por vetë koha është shumë e ngushtë. Do të kemi kandidatin, ne do e mbështesim, partitë e tjera do e mbështesin ta supozojmë, por unë ftoj personalitete të këtij vendi, e këtij qyteti, të guxojnë sepse ne i mirëpresim absolutisht me shumë sinqeritet.”, u shpreh ai.
Në nisje të mbledhjes sot Berisha u shpreh se është kundër dekretit të Presidentit Begaj, duke e quajtur antikushtetues, megjithashtu deklaroi se opozita nuk do ta bojkotojë garën për Tiranën./ZËRI