pamje nga operacioni
TIRANË-Europol dhe Eurojust, kanë reaguar pas goditjes së një rrjeti kriminal që trafikonte vajza nga Amerika Latine në Shqipëri për shfrytëzim seksual në Tiranë.
Një hetim i madh i kryer nën një task-forcë të Europolit ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti ndërkombëtarisht aktiv të trafikimit të qenieve njerëzore. Operacioni përfshinte Policinë e Shtetit Shqiptar (Policia e Shtetit), Policinë Kombëtare Kolumbiane (Policía Nacional de Colombia) dhe Policinë Kroate (Hrvatska Policija) dhe u mbështet nga Eurojust. Hetimi rezultoi në një ditë veprimi të njëkohshëm në Shqipëri dhe Kolumbi më 1 tetor 2025.
Gjatë aksionit u kryen 16 kontrolle shtëpish (7 në Shqipëri dhe 9 në Kolumbi); 17 arrestime (7 në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi); u identifikuan 54 viktima me origjinë nga Amerika e Jugut (44 në Shqipëri, 5 në Kroaci dhe 5 në Kolumbi).
Hetimi zbuloi një strukturë shumë të organizuar brenda rrjetit, me anëtarë të caktuar në role specifike që varionin nga rekrutimi dhe transporti deri te kontrolli dhe shfrytëzimi i drejtpërdrejtë i viktimave. Shërbimet seksuale reklamoheshin në faqet e internetit për të rritur, me negociata mbi çmimet dhe shërbimet që trajtoheshin nga operatorët e qendrave të thirrjeve, duke i lënë viktimat pa kontroll mbi jetën e tyre. Të ashtuquajturat “agjenci” mbikëqyrnin çdo detaj, nga rekrutimi deri te mbledhja e parave, shpesh duke i nënshtruar viktimat dhunës psikologjike dhe fizike, si dhe kërcënimeve ndaj anëtarëve të familjes në Kolumbi.
Në Shqipëri u vendosën në pranga Assel Adrysheva, Rostyslav Mieshkov, Denis Berisha, Mirel Shperdheja, Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Kejvin Ndreu, ndërsa janë zbuluar dhe rolet që ka pasur secili.
Prostitucioni ushtrohej në një hotel të përshtatur nga shtetasi Ilmar Gugashi në rrugën “Reshit Çollaku”, ndërkohë që krahu i djathtë i shtetasit kolumbian në Shqipëri është 37-vjeçari Denis Sukaj.
Ndërkohë, dy prej të arrestuarve, Assel Adrysheva dhe Kejvin Ndreu ishin tutorët e disa vajzave nga Kazakistani, të cilat i strehonin në këtë hotel. Ndërsa, anëtari tjetër i grupit Denis Berisha u jepte drogë vajzave që ushtronin prostitucion dhe u gjente klientë./ZËRI
