“Bën fushatë për Sara Milën”/ Efektivi i burgut të paditi për shpifje Flamur Nokën, GJKKO pushon çështjen

Flamur Noka

TIRANË-GJKKO ka marrë vendimin për Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, ndaj të cilit kishte një kallëzim penal për shpifje. Deputeti u padit nga punonjësi i burgut të Peqinit, Gjergji Vishkulli, lidhur me denoncimin se është përfshirë në fushatën elektorale të 11 majit. 
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së e akuzonte publikisht në grupin e policëve që sipas tij bënte fushatë më 11 maj për Partinë Socialiste. Burgu i Peqinit, tha Noka në denoncimin e tij, ishte kthyer në shtab fushate elektorale për kandidaten socialiste, Sara Mila. Vishkulli e kallëzoi Nokën për shpifje dhe fyerje, ndërsa gjatë gjykimit pala akuzuese mësohet se është tërhequr nga padia. Në përfundim Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar çështjen për Nokën.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin  Nr. 62, datë 03.10.2025 vendosi: Pushimin e gjykimit të çështjes me nr. Regj.Them. 97 datë regjistrimi 08.05.2025, që i përket palëve: I dëmtuar akuzues: Gjergj Vishkulli, I akuzuar: Flamur Noka dhe Shoqëria Tregtare “3 DS & AF Entertainment sh.p.k.”-thuhet në njoftim.

VENDIMI